Sunday, May 22, 2022
HomeTjeraKultura“Zgjoi” nën ethet për Oscar deri më 8 shkurt

“Zgjoi” nën ethet për Oscar deri më 8 shkurt

Çmimet Oscars kanë hapur zyrtarisht votimin për nominime të filmave, derisa filmi kosovar “Zgjoi” po pret të fitojë nominimin, pasi është në listë të ngushtë të filmave ndërkombëtarë.

Nga 27 janari, 9,487 anëtarë të Akademisë së Çmimit Oscar mund të votojnë për të zgjedhur se cilat nga filmat do të nominojnë për këtë çmim prestigjioz.

Këtë vit mbahet edicioni i 94-të i Çmimit Oscar. Ky çmim ndahet për 24 kategori të ndryshme, përfshirë një kategori të veçantë për filma të huaj (jo të prodhuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës).

Emrat e filmave të nominuar pritet të bëhen të ditur më 8 shkurt.

Ceremonia e ndarjes së Çmimit Oscar do të mbahet më 27 mars.

Filmi kosovar që pret sukses në Oscar

Filmi “Zgjoi” bën pjesë në listën e ngushtë të 15 filmave ndërkombëtarë për Çmimin Oscar.

Ky film me regji të Blerta Bashollit është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes.

Ajo e fillon këtë angazhim duke u përballur me një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Rolin e Fahrijes e luan aktorja kosovare, Yllka Gashi.

Ky film është shpërblyer me çmime të shumta përfshirë edhe tri çmimet kryesore në Sundance Film Festival.

Nëse fiton nomimin për Oscar, “Zgjoi” do të bëhej filmi i dytë nga Kosova që do ta arrinte një gjë të tillë, pasi më 2016, filmi “Shok” me regji dhe skenar të regjisorit britanik Jamie Donoughue, i luajtur nga aktorë të Kosovës, i xhiruar në Kosovë, ishte filmi i parë që përfaqësoi kinematografinë e Kosovës në Oscar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e quajti sukses të jashtëzakonshëm futjen në listën e ngushtë për nominim të filmit “Zgjoi”.

Ky film pati premierën më 2021 në festivalin prestigjioz amerikan “Sundance Film Festival”.

Sipas këtij festivali, filmi ‘Zgjoi’ “është një perlë e cila thekson fuqinë në personazhet e tij, duke dëshmuar që asgjë nuk mund t’i ndalojë gratë në një mision”.

Historia frymëzuese e “Zgjoit”

Historia e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe i la përshtypje regjisores dhe skenaristes kosovare, Blerta Basholli.

Lufta e fundit në Kosovë, Fahrijen e kishte lënë të ve dhe pa shtëpi.

Në mesin e dhimbjes dhe sfidave ajo themeloi kooperativën bujqësore të grave ‘Krusha’.

Përmes biznesit të saj, i ndihmoi edhe gratë e tjera të veja nga Krusha e Madhe.

Ndjenjat e Fahrijes pas shikimit të filmit ishin të përziera. Ajo i rijetoi të gjitha ato momente, por edhe u ndje krenare për atë që ka arritur.

“Ka qenë rikthim edhe njëherë. Kanë qenë momente shumë të vështira që unë e kam prezantuar për pesë minuta një moment timin. Por, në ato pesë minuta, në atë rol, kam ndierë edhe shumë momente të tjera. Ka qenë për mua pak e zorshme, por megjithatë është krenari që është bëj një film për personazhin tim”, tha Fahrije Hoti.

Në anën tjetër, për aktoren Yllka Gashi, “ky rol për të ka qenë përvoja më e mirë profesionale”.

“Kur ke të luash një person që është njeri i vërtetë, që ende jeton, që e njohim, që e kemi parë neper intervista, është më e vështirë dhe më e rrezikshme në kuptimin e mirë të fjalës sepse mundesh të gabosh”, tha Gashi.

Sipas regjisores Basholli, historia e paragjykimit dhe diskriminimit të grave ka bërë që të prekë edhe audiencat e huaja.

“Mendoj që është temë universale, fillimisht gratë dhe vajzat në gjithë botën mendoj që identifikohen se ka diskriminime në fusha të ndryshme, në kultura të ndryshme, por diskriminimi është i pranishëm, stereotipizimi është i pranishëm, paragjykimi është i pranishëm gjithkund në botë”, u shpreh Basholli.

‘Zgjoi’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cineforom, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi në Shqipëri. Ky film është prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio në bashkëprodhim nga Alva Film Production, Blac Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments