Monday, June 14, 2021
HomeLajmeKosovaZgjedhjet lokale, test për qeverinë dhe opozitën

Zgjedhjet lokale, test për qeverinë dhe opozitën

Zgjedhjet lokale që priten të mbahen këtë vit në Kosovë, shihen si test për qeverinë dhe partitë politike në opozitë, pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, ku për herë të parë një parti politike arriti të marrë mbi 50 për qind të votave.

 

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në organizatën joqeveritare FOL, tha se pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, zgjedhjet lokale do të krijojnë një hartë të re politike, por ndryshimi nuk do jetë i theksuar si në nivel qendror.

“Do të ketë ndryshime, por nga ajo që shihet edhe nga vetë qytetarët, nuk është se janë më të kënaqurit nga të zgjedhurit në nivel qendror. Kështu që nuk besoj se kjo shumicë do të reflektojë edhe në nivel lokal, sepse ka një zhgënjim mjaft të madh sa i përket punës së qeverisë deri më tani, pasi i kanë të gjitha mundësitë që të punojnë dhe marrin vendime më të shpejta, për shkak të shumicës që kanë në Kuvendin e Kosovës”, tha Demolli-Nimani.

Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që janë mbajtur më 14 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave, duke siguruar 58 ulëse në legjislaturën e re.

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 19 ulëse në kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë deputetë. Ndërkaq, nga komunitetet, Lista Serbe ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara.

Lëvizja Vetëvendosje, pas fitores në zgjedhjet e përgjithshme, synon që në zgjedhjet lokale të shtrihet edhe më shumë në nivel lokal. Arlind Manxhuka, zëdhënës në këtë subjekt politik, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se “referendumi i 14 shkurtit” do të jetë edhe më i plotë me shtrirjen e LVV-së edhe në nivel lokal, në zgjedhjet që pritet të mbahen në vjeshtë.

“Qeverisjes së drejtë, me politika të mira zhvillimore e sociale në nivel qendror do t’i shtohet edhe qeverisja e mirë për qytetin, fshatin e lagjen në nivel lokal. Andaj, në zgjedhjet lokale të këtij viti, referendumi do të shtrihet edhe nëpër komuna, në mënyrë që një herë e përgjithmonë të largohemi nga keqqeverisja e shkatërrimi jo vetëm i hapësirave, por edhe i pasurive të përbashkëta”, tha Manxhuka.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti, ata nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Partia që ka humbur më së shumti në zgjedhjet e 14 shkurtit është Lidhja Demokratike e Kosovës. Nga 28 deputetë sa kishte në legjislaturën e kaluar, tash ka 15 deputetë.

Sibel Halimi, zëdhënëse politike dhe anëtare e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, konsideron se zgjedhjet lokale do jenë të favorshme për këtë parti. Halimi thotë për Radion Evropa e Lirë se do ketë rikthim të votueseve të LDK-së.

“Çështja e votueseve në zgjedhjet nacionale dallon nga zgjedhjet lokale dhe natyrisht se do të ketë një rikthim të paparë të votueseve. Bazuar në sondazhet që po organizojmë, LDK-ja po i paraprin fitores së zgjedhjeve lokale. Po, ashtu duke marrë parasysh takimet në terren, ekziston një rikthim shumë i shpejtë i votueseve jo vetëm të LDK-se, por edhe entuziazmi i qytetarëve të Kosovës për të votuar LDK-në”, thotë Halimi.

Sa i përket renditjes nëpër komuna në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit, sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sërish prin Lëvizja Vetëvendosje në 22 komuna, Lista Serbe në dhjetë komuna, Partia Demokratike e Kosovës në dy komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës udhëheq në tre komuna, Partia Demokratike Turke e Kosovës në një komunë, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës në nivel vendi rezulton të mos ketë dalë e para në asnjë komunë.

Demolli-Nimani nga FOL shprehet se zgjedhjet lokale janë sfidë edhe për partinë në pushtet, duke bërë përpjekje të mos e humb elektoratin, por edhe partitë opozitare, të cilat kanë qeverisur në të dyja nivelet e pushtetit në dekadën e fundit, e që synojnë ta rikthejnë besimin e votueseve.

“Zgjedhjet lokale janë test i dyanshëm, edhe për qeverinë edhe për opozitën, nëse reformat që kanë premtuar t’i bëjnë brenda partive të tyre nuk realizohen, pasi përqindja e tyre (e partive opozitare) ka rënë në masë të madhe në nivelin qendror”, tha ajo.

Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen çdo katër vjet. Zgjedhjet e fundit janë mbajtur në vitin 2017.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, javën e kaluar ka mbajtur takime konsultative me liderë të partive politike sa i përket shpalljes së ditës së zgjedhjeve të reja lokale. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se “sa më shpejt që mbahen zgjedhjet lokale, aq më mirë është”.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë përmendur datën 31 tetor si datë të përshtatshme për zgjedhje. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë datë sa i përket zgjedhjeve komunale.

Pas konsultimit me partitë politike, i mbetet presidentes së Kosovës që të vendosë për datën e zgjedhjeve të reja lokale.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments