Saturday, June 19, 2021
HomeLajmeKosovaVrasja e dyfishtë në Deçan, kryetarja e trupit gjykues vlerëson se nuk...

Vrasja e dyfishtë në Deçan, kryetarja e trupit gjykues vlerëson se nuk ka ndonjë shkak ligjor për vet-përjashtimin e saj nga gjykimi

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova ka thënë nuk ekziston ndonjë shkak ligjor për vet-përjashtimin e saj nga lënda ku për vrasjen e vëllezërve Rexhep dhe Burim Ramaj po akuzohen Durim dhe Sali Lushaj.

Durim Lushaj akuzohet se më 25 gusht 2016, në fshatin Shaptej të Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Rexhep Ramaj. Kurse, pas kësaj, i njëjti akuzohet bashkë me Sali Lushajn, për vrasjen e tani të ndjerit Burim Ramaj.

Mbrojtësi i Durim Lushajt, avokati Sali Mekaj e cilësoi si shqetësues faktin se gjykatësja Husaj-Rugova kishte vepruar si gjykatëse e procedurës paraprake dhe kishte caktuar arrest shtëpiak në një çështje tjetër penale, ku vëllai i viktimave, Tafë Ramaj tani po dyshohet për tentim vrasje të vëllait të akuzuarit Sali Lushaj.

“Betimi për Drejtësi” merr vesh se një konflikt i ri mes familjes Ramaj dhe Lushaj, ka ndodhur një javë më herët, në të cilën i dëmtuari Tafë Ramaj tani po dyshohet për tentim vrasje ndaj vëllait të pandehurit Sali Lushaj.

Avokati Mekaj tha ai nuk kërkonte përjashtimin e gjykatëses mirëpo sipas tij, gjykatësja duhet të vlerësonte këtë rrethanë.

Lidhur me këto pretendime, gjykatësja shtoi se këto dy çështje penale janë të ndara mes tyre dhe se masën e arrestit shtëpiak ndaj të dëmtuarit Ramaj e kishte caktuar sipas propozimit të Prokurorisë së Pejës.

Gjykatësja vlerësoi pozicioni i saj si gjykatëse e procedurës paraprake për një rast tjetër, nuk përbënte shkak ligjor për të kërkuar vet-përjashtimin nga gjykimi i kësaj lëndë.

Në anën tjetër, i dëmtuari Tafë Ramaj shtoi se ndaj tij ishte duke u bërë një luftë speciale.

Ndryshe, në këtë seancë gjyqësore u dëgjua eksperti psikosocial i Institutit të Forenzikës Psikiatrike, Naim Hoxha, i cili kishte marrë pjesë në vitin 2018 në ekspertizën psikiatrike për Durim Lushaj.

Kjo ekspertizë përmbante përfundimin se i akuzuari Durim kishte qenë në afekt mendor në momentin e kryerjes së veprës penale.

Për të sqaruar këto rrethana, eksperti i ftuar nga gjykata tha se roli i tij në këtë ekspertizë ishte të bënte vlerësimin e historisë së rritjes dhe zhvillimit jetësor të pandehurit Durim.

“Roli im në këtë ekspertizë ka qenë të bëjë një vlerësim rreth historisë së rritjes, zhvillimit të ekzaminuarit. Si fëmijë a ka pasur ndonjë problem në familje, shkollë, shoqëri apo në komunitetin ku jeton”, tha Hoxha.

Përveç pjesës psiko-sociale, eksperti Hoxha tha nuk ishte detyra e tij të konstatonte gjendjen mendore të pandehurit Durim mirëpo vetëm aspektin social të jetës së tij.

“Unë vlerësimin tim ia dërgoj epikës mjekësore që përbëhet nga psikologët dhe psikiatri dhe nuk është detyra imë të bëj diagnoza mjekësore por vetëm diagnozë sociale”, tha Hoxha.

Ndryshe, ky proces gjyqësor u fillua rishtas për shkak të ndërrimit të anëtarit të trupit gjykues, gjykatëses së ndjerë Lumturije Muhaxheri, në vend të së cilës është caktuar gjykatësi Shaqë Curri.

Mirëpo, të gjitha deklaratat e dëshmitarëve të dhëna më herët u konsideruan të lexuara, pas propozimit të prokurorit Haxhi Sinanaj, i cili propozim gjeti mbështetje edhe nga mbrojtja e të pandehurve.

Seanca e radhës u caktua për 18 qershor 2021, ora 10:00.

Ndryshe, në këtë proces gjyqësor janë caktuar dy ekspertiza psikiatrike, të cilat kanë konstatuar gjendjen e afektit mendor tek i pandehuri Durim, ndërsa njëra prej tyre është shpallur si provë e papranueshme, pasi ishte përpiluar në kundërshtim me ligjin.

Në këtë rast është caktuar edhe një ekspertizë e re psikiatrike për konstatimet e së cilës pritet që ekspertet në seancat e radhës të deklarohen.

Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Pejë, më 14 prill 2018, e kishte shpallur fajtor Durim Lushajn dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik me 25 viteve burgim për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje. Fajtor ishte shpallur edhe Sali Lushaj, ku ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik me 18 vite burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje e armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Apelit, më 3 korrik 2018, kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve si të bazuara dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohet se me 25 gusht 2016, rreth orës 18:30, në fshatin Shaptej të Komunës së Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, me armë zjarri ka privuar nga jeta Rexhep Ramajn.

Sipas aktakuzës, i njëjti pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramajn, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt, po ashtu me armë zjarri.

Sipas aktakuzës, ata me këto veprime kanë vënë në rrezik edhe jetën e të miturit A.R dhe Gani Ramajt e Mustafë Ramajt.

Që të dy akuzohen nga prokuroria për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe veprës penale të armëmbajtjes pa leje.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments