Tuesday, June 15, 2021
HomeLajmeKosovaUnifikimi për dialogun, në duart e Kurtit

Unifikimi për dialogun, në duart e Kurtit

Partitë politike opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë deklaruar se e mbështesin procesin e dialogut Kosovë-Serbi, por sipas tyre, unifikimi i spektrit politik në Kosovë lidhur me dialogu varet nga Qeveria e Kosovës dhe kryeministri, Albin Kurti.

Subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, javën që shkoi nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Kurti për partitë opozitare, për takime veç e veç, për të folur, siç ka thënë ai, në “shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje në interes të Kosovës”.

Kurti nuk e kishte cekur se për çka do të bisedohet, mirëpo opozita kishte vlerësuar si nismë të Kurtit për të folur për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, për të gjetur një zgjidhje përfundimtare mes dy vendeve.

Hoxhaj: Qeveria të ketë qëndrim të qartë për dialogun

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk i është përgjigjur ftesës së kryeministrit, Albin Kurti për takim, për shkak se nuk kishte precizuar se për çfarë do të bisedohej në atë takim.

“Nuk ka qenë preciz se për çfarë e kërkoi takimin. Kjo është e para. Ndërkaq, së dyti, ne mendojmë që qeveria duhet të ketë qëndrim të qartë për çështjen e dialogut, të ketë ndonjë platformë, të dijë qëllimin e dialogut dhe se çfarë pret qeveria nga dialogu. Pa këto, nuk ka kuptim që të takohem me Kurtin vetëm sa për të pasur një fotografi të përbashkët”, tha Hoxhaj.

Ai theksoi që çështja e konsensusit politik varet ekskluzivisht nga qeveria dhe shtoi se “ne mund të bisedojmë me përfaqësuesit e qeverisë rreth dialogut vetëm brenda kuvendit”, duke shtuar që procesi i dialogut me Serbinë është përgjegjësi vetëm e Qeverisë së Kosovës.

LDK-ja do ta mbikëqyrë dialogun

Teuta Sahatqija, anëtare e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për Radio Evropa e Lirë se lidhur me dialogun me Serbinë, duhet të kihen parasysh rezolutat të cilat Kuvendi i Kosovës i ka paraqitur, si dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cili e përcakton në mënyrë të qartë rolin udhëheqës të qeverisë në dialog.

Por, sipas saj, Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë në vazhdimësi konstruktive sa i përket çështjes së dialogut, dhe në këtë frymë është zhvilluar edhe takimi që javën e kaluar e ka pasur kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku me kryeministrin Kurti.

Siç thotë Sahatqija, Abdixhiku ia paraqitur kryeministrit Kurti një “letër të pozicionit”, në të cilën tregohen qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për sa i përket dialogut me Serbinë. Në këtë “letër pozicioni”, sipas saj, është kërkuar që të mos cenohet shtetësia, sovraniteti dhe tërësia territoriale e Kosovës, si dhe kërkohet prezenca më e fuqishme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog.

Por, sa i përket unifikimit të spektrit politik lidhur me dialogun, sipas saj, e gjitha do të varet nga pozicionimi i kryeministrit Kurti përballë këtij procesi.

“Për unifikim nevojitet unifikimi i kryeministrit Kurti edhe i Lëvizjes Vetëvendosje, sepse qasja e partive tjera asnjëherë nuk ka qenë kundër dialogut. Ndërsa LDK-ja është parti parlamentare, parti opozitare, parti e cila e ka të qartë rolin e vet. Do ta ketë rolin e fuqishëm në mbikëqyrje të dialogut, në kërkesa ndaj kryeministrit për raportime. Ndërkaq, pozicionin tonë e kemi edhe në formë të shkruar, të dorëzuar te kryeministri”, theksoi Sahatqija.

AAK-ja: I kemi dhënë sugjerimet tona

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se marrë parasysh rëndësinë e dialogut, kjo parti i ka dhënë përkrahje dialogut dhe i ka dhënë sugjerimet e veta për qeverinë, të cilat lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ia ka dërguar qeverisë përmes një letre. Sipas tij, procesi i dialogut nuk duhet të zhvlerësohet, por që përmes këtij procesi, të mbrohen interesat e Kosovës.

“Qasja ka qenë pozitive sa i përket diskutimeve për dialogun. Por, kjo do të varet nga qëndrimi i Qeverisë së Kosovës sepse përgjegjësinë kryesore e ka qeveria. Ndërsa, partitë politike dhe liderët institucionalë duhet të jenë bashkëpunues në këtë drejtim, në mënyrë që Kosova të ketë platformën e saj, të ketë një agjendë të saktë të bisedimeve dhe po ashtu të rezultojë me një angazhim , i cili ka rezultat”, theksoi Isufi.

REL i ka dërguar pyetje Qeverisë së Kosovës se a ka arritur që të unifikojë pozitën e Kosovës për dialogun dhe sa a është e gatshme për fazën e ardhshme të këtij procesi. Por, deri në publikimin e këtij teksti nuk është përgjigjur.

Përgjigje nga qeveria nuk ka pasur as në pyetjen se a mund të komentojë deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili të shtunën, më 29 maj, ka thënë se nuk do ta nënshkruajë pranimin e pavarësisë së Kosovës pavarësisht nga presionet, të cilat, siç ka thënë ai, do të jenë të mëdha para dhe pas vazhdimit të dialogut.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments