Friday, May 7, 2021
HomeBotaS’arrihet armëpushimi në Ukrainë, mund të ketë luftime

S’arrihet armëpushimi në Ukrainë, mund të ketë luftime

 

Negociatorët për çështjen e konfliktit në Ukrainën lindore kanë dështuar që të arrijnë marrëveshje armëpushimi para Pashkëve Ortodoksë në kohën e shpeshtimit të luftimeve në fillim të këtij viti.

Armëpushimi i arritur në korrik të vitit të kaluar është shkelur disa herë dhe përleshjet vdekjeprurëse janë shtuar mes forcave qeveritare ukrainase dhe separatistëve të përkrahur nga Moska. Në konfliktin e nisur më 2014 deri më tani janë vrarë mbi 13 mijë njerëz.

Pjesëmarrësit në një takim të grupit trepalësh të kontaktit, të përbërë nga Ukraina, Rusia dhe OSBE-ja, e ritheksuan zotimin e tyre për armëpushim, tha të enjten përfaqësuesja e posaçme e OSBE-së në Ukrainë, Heidi Grau.

“Megjithatë, për fat të keq, nuk u arrit marrëveshje për një deklaratë të grupit trepalësh për t’iu përgjigjur shkeljeve të armëpushimit dhe eliminimit të tyre në të ardhmen”, shtoi ajo.

Selia e agjencisë Interfax në Ukrainë e citoi zëdhënësin e delegacionit ukrainas, Oleksiy Arestovych, të ketë thënë se gjashtë orët e bisedimeve për armëpushim për Pashkë kanë qenë konstruktive, por nuk është arritur pajtim për tekstin përfundimtar të deklaratës së përbashkët.

Përfaqësuesi rus, Boris Gryzliv, e fajësoi palën ukrainase, duke i thënë kësaj agjencie se Kievi i ka bllokuar propozimet e Moskës për mekanizma specifikë për parandalimin e shkeljeve të armëpushimit.

Më shumë se 30 ushtarë ukrainas raportohet të jenë vrarë që nga fillimi i këtij viti, në krahasim me 50 ushtarë të vrarë gjatë tërë vitit të kaluar. Separatistët kanë raportuar për së paku 20 të vrarë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments