Sunday, May 16, 2021
HomeLajmeKosovaQeveria sllovene e mohon autorësinë e “non-paperit” për ndryshimin e kufijve në...

Qeveria sllovene e mohon autorësinë e “non-paperit” për ndryshimin e kufijve në Ballkan

Mediumet sllovene ditë më parë publikuan një dokument që supozohej se u hartua nga Kryeministri i Sllovenisë, Januz Jansha, në të cilën i propozohej Këshillit Evropian ideja e rikonfigurimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor. Por, Qeveria e Sllovenisë e ka mohuar se ekziston një dokument i tillë, ndërsa BE nuk ka dashur të komentojë për këtë çështje.

Për ditë më radhë mediat sllovene raportuan për ekzistimin e një dokumenti, që kryeministri i këtij shteti i kishte dërguar BE-së, e ku flitej për ndryshim të kufijve në Ballkan.

E shkruar në anglisht, dokumenti përmban disa pikë, të cilat flasin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, aneksimin e Republikës Srbska nga Serbia, si dhe opsionin e rirregullimit të territoreve kroate që janë pjesë e federatës boshnjako-kroate në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ideja e korrigjimit të kufijve në non-paperin e publikuar ofrohej si një mundësi e zgjidhjes së problemeve nacionale të Kroacisë, Serbisë e Kosovës.

Por, Qeveria e Sllovenisë e udhëhequr nga kryeministri Jansha e kanë mohuar se dokumenti është i shkruar nga ta.

Në përgjigjen e tyre, ata akuzojnë se burim i këtij dokumenti janë partitë e majta sllovene.

“Kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Janez Jansha, nuk komenton non-paperin dhe çështjet e tjera që nuk ekzistojnë. I gjithë mbulimi mediatik i dokumenteve të pretenduara nuk kanë asnjë lidhje me Qeverinë e Republikës së Sllovenisë. Ne gjithashtu besojmë se komenti më i përshtatshëm për këtë çështje do të ishte nga partitë e opozitës së majtë sllovene, të cilat për mendimin tonë janë burimi i kësaj çështjeje”, thuhet në përgjigjen e tyre. Ndërkaq për këtë çështje nuk kanë dashur të flasin Këshilli Evropian, organit të cilit raportohet t’i jetë dërguar dokumenti ku flitet për rikonfigurimin e kufijve.

“Fatkeqësisht nuk kemi ndonjë koment për të ndarë mbi këtë [çështje]”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Evropian.

Gazeta ka kontaktuar edhe Komisionin Evropian për ta marrë një qëndrim të këtij institucioni të BE-së rreth ‘dokumentit slloven’ mbi rikonfigurimin e kufijve.

Në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, theksohet se nuk kanë parë asnjë dokument të tillë.

“Ne kurrë nuk komentojmë për dokumente të ndryshme të botuara nga mediat. Për më shumë, në këtë rast të veçantë nuk i takon Komisionit Evropian ose Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm të shprehemi në lidhje me çështjen e non-paperit të pretenduar, pasi Komisioni nuk ka pranuar asgjë dhe nuk është në dijeni për përmbajtjen e pretenduar të një dokumenti të tillë”, tha Stano.

Në anën tjetër, Kryeredaktori i gazetës sllovene “Ne Cnecuriano”, Primoz Cirman, media që publikoi non-paperin për ndryshim kufijsh ka thënë se Brukseli, në ditën kur u publikua dokumenti fillimisht e kanë konfirmuar se e kanë marrë dokumentin që mediumi pretendon se është i kryeministrit slloven.

Por, disa minuta më pas, sipas gazetarit Cirman, gjerat ndryshuan.

“Kur lajmi shpërtheu të hënën, kolegu ynë nga gazeta “Dela” korrespondent i Brukselit, pyeti zyrën Michael [President i Këshillit Evropian] dhe zyra së pari konfirmoi se e kishte marrë dokumentin që flet për shpërbërjen e Bosnjë dhe Hercegovinës. Por, gjysmë orë më vonë po nga zyra e Michael thirrën gazetarin dhe i thanë se nuk mund ta mohojnë, por as ta konfirmojnë se e kanë marrë letrën”, i ka thënë Cirman Albanianpost-it.

Rreth këtij dokumenti jo zyrtar kanë reaguar liderët e rajonit përfshirë Presidentin e Serbisë e Kroacisë, Kryeministrin e Shqipërisë e përfaqësuesit e Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës.

Për këtë çështje deri më sot nuk kanë komentuar Qeveria e Kosovës, derisa Presidenca e ka konsideruar si ‘fake-news’.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments