Saturday, June 19, 2021
HomeLajmeKosovaPritje minimale për takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel

Pritje minimale për takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel

Fillim i ri apo vazhdim? Pavarësisht se palët nuk dakordohen rreth procesit të dialogut, ajo që është e sigurt se kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq do të ulen përballë në Bruksel.

 

Për agjendën dhe tërë procesin kërkohet qartësi dhe transparencë. Pikërisht për këtë arsyen e fundit, nesër pikë e radhës e rendit të ditës do të jetë diskutimi mbi ecurinë e deritashme të procesit të dialogut me Serbinë, sipas kërkesës së kryeministrit Albin Kurti.

Pesë ditë para takimit të parë ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, pritjet janë minimale për gjetjen e një dakordimi madhor mes palëve.

Maksimumi po konsiderohet se mund të jetë pajtimi për kornizën e negociatave për muajt në vijim dhe afatin kohor për implementimin e tyre. Ndërkohë, opozita vazhdon të kërkojë nga ekzekutivi qartësim dhe transparencë më të madhe të dialogut, para këtij takimi në Bruksel.

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti thotë se takimi i 15 qershorit në Bruksel është vazhdim i dialogut dhe sipas tij, kryeministri Kurti nuk mund të pretendojë se është “dialog i ri dhe i ardhshëm”, derisa ka pasur një të tillë në dhjetë vitet e fundit.

“Ne nuk e dimë agjendën, por ne duam të shohim qartësi nga Qeveria Kurti rreth platformës, me të cilën ai do të shkojë në këtë takim, sepse është për vazhdimin e dialogut. Le të thonë çka të thonë, por nuk mund të flitet për një dialog të ardhshëm dhe nënkuptohet se nuk ka pasur dialog. Pasi është fakt i ditur se ne tash e 10 vjet bëjmë dialog me Serbinë, i cili është proces i stërzgjatur dhe kohëve të fundit i pafrytshëm. Kosova nuk duhet të bëjë asgjë që e pengon këtë përparim të Kosovës për të qenë pjesë e sistemit ndërkombëtar. Për të qenë aty, shteti i Kosovës duhet të jetë partner i përgjegjshëm. Nuk mund të flitet për një dialog të ri, se ka qeveri të re. Ne kemi një shtet, i ri apo vjetër dhe ky shtet do të jetë përherë”, thotë Hamiti.

Në takimin e së martës, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj kërkon nga kryeministri Kurti që mos të diskutohet për kufijtë e Kosovës, rregullimin e brendshëm dhe pavarësinë e 17 Shkurtit.

“Ne nuk e dimë as agjendën e takimit, zotëri Kurti duhet ta bëjë publike agjendën sepse nuk udhëtojnë një delegacion shtetëror për dialog pa agjendë të takimeve. Në bazë të asaj ne mund ta dimë se çka diskutohet dhe çka janë pikat. Nga kjo vizitë e shohim se nuk është një dialog teknik, por politik. Unë mendoj se duhet të jetë proces transparent sepse është periudha e fundit e dialogut… Dialogu duhet të kornizohet, të jetë një afat pasi nuk duhet të shkojmë në pafundësi të shkojmë dhe të dialogojmë, e të mos dimë për çka të dialogojmë. Thash duhet t’i kemi të qarta çfarë duhet të dialogohet dhe çka nuk duhet të dialogohet. Nga partnerët, lehtësuesit e dialogut duhet të kërkohet qartësi për përfundimin, të cilin duhet ta kemi edhe ne, delegacioni dhe qeveria. Duhet të kërkohet 17 shkurti, të mos diskutohen kufijtë, të mos diskutohet rregullimi i brendshëm dhe të ketë një afat që marrëveshja përfundimtare të jenë në kufijtë aktual që Kosova”, deklaron ajo.
Pritje minimale nga ky takim po sheh drejtori institutit EPIK, Demush Shasha.
“Nga ky takim nuk duhet të pritur shumë. Është takimi i parë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Maksimumi që mund të presim është që palët të dakordojnë një kornizë të negociatave se çfarë mund të negociojnë gjatë muajve në vijim dhe të dakordojnë një kornizë kohore që ata synojnë të arrijnë. Nëse këto dy gjëra arrihet gjatë këtij takimi do të ishte mëse mjaftueshme”, thotë Shasha.
Ndërsa, Violeta Haxholli nga KDI, vë në pah mungesën e transparencës së ekzekutivit në agjendën e diskutimit në rifillimin e dialogut.
“Si gjithmonë procesin e dialogut e shoqëron një mungesë e transparencës sa i përket temave që pritet të diskutohet në takimet e dialogut…Cilat janë temat dhe agjenda që pritet të jetë në këtë takim. A do të ketë tema konkrete, për të cilat kryeministri i Kosovës dhe presidenti serb do të diskutojnë në kuadër të dialogut, apo do të jetë një takim hyrës që sinjalizon vetëm vazhdimi ne dialogut dhe pastaj në takime të tjera që mund të hapen temat”, thekson ajo.

Lidhur me pritshmëritë e këtij takimi, është tentuar të merret një qëndrim edhe nga Qeveria e Kosovës, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur. Për dialogun Kosovë-Serbi do të debatohet edhe nesër në Kuvendin e Kosovës.

Takimi i javës së ardhshme është i pari ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, ndërsa një të tillë Kurti e kishte refuzuar në muajin maj.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments