Thursday, February 2, 2023
HomeLajmePas shtyrjes për shkak të targave, çekët konfirmojnë se vizat nesër rikthehen...

Pas shtyrjes për shkak të targave, çekët konfirmojnë se vizat nesër rikthehen në agjendën e BE-së

Zëdhënësja e Presidencës Çeke në Bashkimin Evropian, Eva Hrncirova ka konfirmuar se çështja e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës do të rikthehet në rend të ditës në kuadër të diskutimeve në COREPER.

“Po, do të jetë në agjendën e COREPER”, ka thënë Hrncirova.

Një rikthim i tillë i çështjes së vizave në agjendën e trupave brenda Këshillit Evropian vjen pasi fillimisht liberalizimi i vizave u hoq nga pikat e rendit të ditës si rezultat i situatës së krijuar në veri të Republikës së Kosovës.

COREPER do të mblidhet të mërkurën dhe pritet që në këtë takim të ketë një vendim për ta shtyrë përpara çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Sipas propozimit të fundit të Çekisë, koha për të ndodhur liberalizimi është caktuar të jetë jo më vonë se janari i vitit 2024, ndërkohë procesin pritet që ta vështirësojë edhe ndërlidhja me sistemin ETIAS.

Kosovës gjithashtu i është kërkuar që të vazhdojë të përshtasë politikën e saj të vizave me atë të BE-së, ndërkohë që i mbetet të kalojë edhe nëpër disa procedura të tjera që i kërkojnë vendet anëtare.

Një prej vendeve spektike që Kosovës t’i hiqen vizat është Suedia. Nga ky shtet në një përgjigje për Express të dhënë ditë më parë kanë thënë se duhet plotësuar kushtet në mënyrë të konsiderueshme, ato që ndërlidhen me migrimin dhe sigurinë.

“Qeveria suedeze vazhdon të mbështesë përpjekjet e Kosovës dhe merr parasysh progresin që ka bërë Qeveria e Kosovës në lidhje me Udhërrëfyesin. Qëndrimi suedez është se ne mund të mbështesim liberalizimin e vizave pasi të plotësohen të gjitha kriteret e përcaktuara në udhërrëfyes dhe kur rreziqet e sigurisë dhe migracionit në nivel kombëtar të jenë përmbushur në mënyrë të kënaqshme. Ky pozicion mbetet i pandryshuar”, kishte thënë për Gazetën Express Carolina Vrocharis nga Ministria e Drejtësisë në Qeverinë e Suedisë.

Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë konfirmuar prej kohësh që Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments