Saturday, June 19, 2021
HomeLajmeKosovaMë shumë se katër orë nga dënimi i Mlladiqit, pse s’kanë reaguar...

Më shumë se katër orë nga dënimi i Mlladiqit, pse s’kanë reaguar Kurti e Osmani?

Derisa Shtëpisë së Bardhë iu deshën pak minuta për të dalë me reagim për dënimin me burgim të përjetshëm të kriminelit serb, Radko Mlladiq, Kryeministri dhe Presidentja e Kosovës nuk kanë reaguar akoma.

Krerët shtetëror të Kosovës, teksa kanë kaluar më se katër orë nga vendimi, ende nuk e kanë nxjerrë asnjë fjalë për verdiktin e Tribunalit të Hagës për burgim të përjetshëm të kriminelit serb Ratko Mlladiq.

Në reagimin e SHBA’së ndaj këtij vendimi u tha se vendimi i sotëm tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Ky reagim ka lënë hapësirë të interpretohet se mund t’i hapet rrugë edhe gjykimit të kriminelëve serbë, të cilët kanë kryer krime lufte në Kosovë.

“Pothuajse 26 vjet më parë, Ratko Mlladiq urdhëroi ekzekutimin e rreth 8,000 burrave dhe djemve të paarmatosur në Srebrenicë. Ai gjithashtu udhëhoqi një rrethim brutal shumë-vjeçar të Sarajevës dhe ishte përgjegjës për shumë krime të tjera. Mekanizmi Ndërkombëtar i Apelit i Kombeve të Bashkuara për Gjykatat Penale në Hagë konfirmoi sot dënimin e tij për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ky verdikt historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Ai vendim gjithashtu përforcon vendosmërinë tonë të përbashkët për t’i parandaluar mizoritë e ardhshme kudo në botë”, tha Biden.

Ndonëse reagim zyrtar nga Kosova nuk ka pasur për përgjegjësin e mbi 8 mijë krimeve në Srebenicë të Bosne dhe Hercegovinës, ish-diplomatë e deputetë të vendit e kanë përshëndetur këtë vendim.

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka përshëndetur vendimin e Tribunalit të Hagës për burgimin e përjetshëm të Mlladiqit, derisa e ka quajtur këtë të fundit “reformist të rremë”.

U.d i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, vendimin për Mlladiqin e ka parë si “të vërtetën e Serbisë ndaj krimeve që ka kryer në Ballkan”.

“Rikonfirmimi i dënimit për Ratko Mladiq, e vërteta e Serbisë dhe krimeve kundër njerëzimit në Ballkan! “Kasapit të Ballkanit” Ratko Mladiq, sot iu rikonfirmua dënimi me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit, vendim që kishte ndërmarrë Tribunali i Hagës në nëntor të vitit 2017. I akuzuar dhe dënuar për krime lufte në ish-Jugosllavi, Ratko Mladiq është përgjegjës për vrasjen e mijëra njerëzve, përfshirë orkestrimin dhe ekzekutimin e Masakrës më të madhe në Evropë pas Luftës së Dytë botërore, atë të Srebrenicës”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, nga Qeveria Kurti, e vetmja që ka pasur qëndrim karshi çështjes së vendimit të Tribunalit të Hagës ka qenë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ndër të tjera e ka përmendur edhe përgatitjen e gjenocidit kundër Serbisë.

Apelit i Tribunalit të Hagës gjatë ditës e shpalli fajtor Mlladiqin për terrorizëm të popullsisë civile dhe gjenocidin në Srebrenicë, ku gjatë vitit 1995 ishin masakruar mbi 8000 burra e djemë myslimanë.

Mlladiq u dënua me burgim të përjetshëm.

Deri në momentin e publikimit të artikullit, as kryeministri Kurti e as presidentja Osmani s’kanë bërë asnjë reagim, as në “Facebook” e as në “Twitter”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments