Sunday, May 16, 2021
HomeLajmeKosovaMbi dy mijë shtëpi e banesa përfitojnë nga projekti amerikan për efiçiencë...

Mbi dy mijë shtëpi e banesa përfitojnë nga projekti amerikan për efiçiencë energjetike

Mbi dy mijë shtëpi e banesa në të gjithë Kosovën do të izolohen për t’u bërë më efiçiente.

 

Mbështjellje, rregullim i kulmit dhe dritareve, janë vetëm disa prej rinovimeve që do të bëhen në kuadër të projektit të efiçiencës energjetike, financuar nga qeveria amerikane përmes Korporatës se Sfidave të Mijëvjeçarit. Implementimi i projektit ka filluar sot dhe do të ketë shtrirje në të gjitha komunat e Kosovës, i njëjti do të ndihmojë në zvogëlimin e kostos së rinovimeve për efiçiencë të energjisë dhe në zvogëlimin e konsumit të energjisë në amvisëri.

Ceremonia e inaugurimit të punimeve, në kuadër te projektit “Subvencione për efiçiencë të Energjisë”, implementuar nga Fondacioni i Mileniumit të Kosovës dhe mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mileniumit, u mbajt sot në Prizren, në të cilën mori pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

“Ky program do të ndihmojë në uljen e kostove të energjisë elektrike dhe gjithashtu do të ndikojë në zvogëlimin e konsumit të energjisë familjare siç po thosha më herët, gjithashtu qytetarët do të kursejnë para. Zonja dhe zotërinj, duke zvogëluar sasinë e energjisë që ne konsumojmë në shtëpi, jo vetëm që ulë faturat, por është një nga mënyrat se si mund të luftojmë ndryshimin klimatik. Shumë prej jush më kanë dëgjuar duke përmendur bukurinë natyrore dhe biodiversitetin e pabesueshëm të Kosovës, që është veçanërisht e vërtetë këtu në Prizren. Sistemet tona eko natyrore ofrojnë burime thelbësore të tilla si ushqimi, uji, karburantet, ilaçet, mbrojtja nga stuhitë dhe përmbytjet dhe shërbimet themelore që bëjnë të mundur jetën”, tha Kosnett.

E drejtoresha e MCC për Kosovë, Sarah Olmstead tha se Kosova përdorë më shumë energji elektrike dhe kjo ndodh për shkak të banesave.

“Mungesa e përgjithshme e izolimit, dhe ndërhyrjet e tjera në efiçiencën e energjisë elektrike, do të thotë që jo vetëm që familjet përdorin shumë burime energjetike, qoftë energjia elektrike e saj, por ato gjithashtu kanë shtëpi më të pa përshtatshme….Unë jetoj në një shtëpi të vjetër dhe gjëja më e mirë që kam bërë ndonjëherë ishte investimi në dritare më të mira dhe izolim më të mirë dhe tani ngrohja ime dhe sistemi ftohës kanë shumë më pak punë për të bërë dhe më e rëndësishmja për mua është se fatura e energjisë elektrike është dukshëm më e ulët”, tha ajo Olmstead.

Izolimi i shtëpisë së parë në kuadër të këtij projekti ka filluar në shtëpinë e Murtezan Bajramit, e ndërtuar në vitin 1985, në komunën e Prizrenit

Bajrami pret që pas rregullimit të ketë kursim të energjisë dhe të ketë një ambient më të ngrohtë gjatë dimrit, derisa vapën e verës ta ndjejë më pak.

“Prej këtij projekti ne do të përfitojmë mjaft në kursimin e energjisë, energjisë elektrike por edhe në ngrohje, ashtu do t’i evitojmë disa të meta që janë, ngrohja verës, e dimrit është ftohtë, tash do të evitohen ato kështu që përfitimi jonë është i kënaqshëm, jam i kënaqur me këtë projekt që ka fillu këtu, jam i gëzuar dhe përshëndes te gjuhë stafin që kanë ardh sot, kam qenë i privilegjuar që familja ime, shtëpia ime ka filluar projektin e para”, tha Bajrami.

Ndërsa, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se po dëshmohet qe me investim të vogël mund të ketë ambient më të mirë për banorët.

“Së pari duhet të fillojmë me vetëdijesimin e popullatës e po ashtu të tregojmë me shembuj se si me një investim të vogël në efiçiencë të energjisë do të kemi edhe ambient më të mirë, te ngrohtë, edhe do të kursejmë më shumë, me ato kursime mund të investojmë pastaj në arsimin e fëmijëve tanë. Gjeja më e rëndësishme këtu përveç kursimit individual të familjarëve dhe efiçiencës së energjisë, ne me ketë mbrojmë ambientin, ajrin dhe të ardhmen e Kosovës”, tha ai.

Sipas drejtorit ekzekutiv të MFK-së, Petrit Selimi, përmes kësaj po krijohet një sistem ndihmës që qytetarëve t’u jepen mundësi për investime të tilla me bashkëfinancim.

“Është investim amerikan prej 20 milionë dollarëve ku mbi dy mijë shtëpi e banesa, në të gjithë Kosovën do të përfitojnë masa të efiçiencës energjetike, qoftë mbështjelljen me stiropor, kulmin, rregullimin e dritareve, masa të ndryshme, mbi 100 masa të ndryshme janë të ofertuara. Jemi të gëzuar që komuna e Prizrenit sot filloi edhe konkretisht me punën në renovimin e shtëpive me familjen Bajrami sot e cila është familja e parë që përfiton nga këto masa. Janë të rëndësishme sepse në fund të ditës izolimi i mirë sjellë fatura më të ulëta të rrymës, shpenzime më të ulëta të drurit dhe ndikon edhe në ajrin më të mirë”, tha Selimi.

Selimi ka bërë të ditur do të rregullohen edhe soliterët e Ulpianës në Prishtinë, që sipas tij, janë investime madhore në efiçiencën energjetike të cilat prekin gjithë komunitetin.

Faza e parë e programit përfshin grantin bazë që është 50%, derisa pjesa tjetër mbulohet nga banorët.

Përjashtim bëjnë rastet kur në krye të familjes janë gratë, komunitet pakicë që jetojnë në kushte më të vështira dhe familjet me skemë sociale. Këta të fundit përfitojnë grant prej 80%, ka bërë të ditur drejtori i programit të energjisë në MFK, Burim Hashani.

“Programi do të jetë në gjithë Kosovën dhe pritet të ndihmojë në disa pikë përqindje që të ulet në përgjithësi në nivel vendi edhe konsumi i energjisë, po ashtu të ndihmojë edhe që qeveria e Kosovës, institucionet e saj të efiçiencës pastaj të përshkallëzojnë këtë projekt në nivel më të lartë, në fonde më të mëdha dhe që të arrihet të ulet konsumi i energjisë ku si mesatare Kosova edhe pse si vend më i varfër intensiteti i konsumit të energjisë për kokë banori është më i lartë se vendet e tjera”, tha Hashani.

Përmes këtij programi të implementuar nga Fondacioni i Mileniumit i Kosovës dhe mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mileniumit, synohet të ndihmojë familjet kosovare të përmirësojnë efiçiencën e energjisë në shtëpitë e tyre.

Pilotimi do të ketë tre faza, ku fillohet me 500 shtëpi, pastaj me një mijë të tjera dhe në vitin 2022 implementohet në një mijë shtëpi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments