Friday, January 28, 2022
HomeLajmeMbi 2 mijë e 600 biznese të mbyllura në Kosovë për shkak...

Mbi 2 mijë e 600 biznese të mbyllura në Kosovë për shkak të pandemisë

Për nëntë vjet, Arben Jonuzi ka udhëhequr një biznes në sektorin e akomodimit në Prishtinë. Dy banesa të marra me qira i ka shndërruar në bujtinë. Aty janë akomoduar turistë nga e gjithë bota deri në vitin 2020, kur edhe ka nisur pandemia e koronavirusit dhe Arbeni është detyruar ta mbyllë biznesin.

“Ka qenë shumë mirë. Iu kemi mundësuar turistëve që të udhëtojnë dhe të flenë me çmime të lira. Por, kur ka ndodhur pandemia, janë mbyllur kufijtë. Kishim edhe shtatë ose tetë mysafirë, të cilët u bllokuan në hostel, e të cilët u larguan pas hapjes së kufijve”, tregon Arbeni për Radion Evropa e Lirë.

Me shpërthimin e pandemisë, në mars të vitit 2020, shumica e shteteve i kanë mbyllur kufijtë me muaj të tërë, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Shumë fluturime janë anuluar dhe udhëtimet janë kufizuar në minimum.

Arbeni thotë se ndihma që jepte Qeveria e Kosovës për bizneset, ishte e pamjaftueshme.

“Asgjë… Ishte një ndihmë nga 150 euro për punëtorë që ndante Qeveria. Ishin pak. Nuk mjaftonte ndihma për të paguar shpenzimet që i kishim”, thotë Arbeni, i cili aktualisht është i papunë dhe nuk mendon ta rihapë biznesin e tij.

Për t’i përballuar pasojat e pandemisë, Qeveria e Kosovës ka miratuar Pakon e ringjalljes ekonomike, në vlerë prej 420 milionë eurosh. Në kuadër të kësaj pakoje, bizneset janë ndihmuar kohë pas kohe.

Për një vit, rreth 3,300 punëtorë mbetën pa punë

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, gjatë vitit 2021 janë shuar 1,330 biznese, të cilat kishin të punësuar rreth 3,300 punëtorë.

Gjatë vitit 2020 figurojnë të shuara 1,346 biznese.

Numri më i madh i tyre ka ushtruar veprimtarinë në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasuar nga hoteleria dhe akomodimi, si dhe industria përpunuese.

Në listën e bizneseve të shuara figurojnë edhe biznese në fushën e ndërtimit, informimit, komunikimit e të tjera.

Por, jo të gjitha bizneset që figurojnë të shuara në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve, janë të çregjistruara në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas të dhënave të ATK-së dërguar Radios Evropa e Lirë, numri i kërkesave për mbyllje të bizneseve dallon prej numrit të bizneseve të çregjistruara.

Gjatë këtij viti, vetëm 15 biznese kanë arritur të çregjistrohen në ATK.

“Kjo nënkupton që pas kërkesës së bërë për mbyllje, janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore për mbylljen e tyre. Mund të ketë numër të madh të kërkesave për mbyllje, mirëpo mund të jenë në proces të verifikimit, pasi që asnjë biznes nuk mund të mbyllet pa i kryer të gjitha obligimet tatimore ndaj ATK-së”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se numri i bizneseve të mbyllura gjatë periudhës së pandemisë 2020-2021 është shumë më i lartë, sesa shifrat zyrtare.

Sipas tij, ”janë mbi 20 mijë biznese të mbyllura gjatë pandemisë”, ndërsa 50 mijë punëtorë kanë mbetur pa punë”.

Nga këto biznese të mbyllura, shton Shahini, vetëm 10 për qind e tyre kanë arritur të rikthehen në treg.

Më shumë biznese të reja sesa të mbyllura

Numri i bizneseve të reja, ndërkaq, është më i lartë se i atyre që janë mbyllur këtë vit.

Nga janari deri në nëntor janë hapur mbi 9,000 biznese të reja, tregojnë shifrat e Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve.

Në këtë numër prin sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë, i cili është po i njëjti sektor që kryeson listën e bizneseve të mbyllura.

Përfaqësues të bizneseve thonë se mbyllja, por edhe hapja e bizneseve në sektorë të njëjtë, ndodh për shkak se ekonomia e Kosovës vazhdon të jetë e orientuar në sektorët e tregtisë me shumicë dhe pakicë e më pak në prodhim.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments