Monday, June 14, 2021
HomeLajmeKosovaKur pritet të ngritet aktakuza për 'boss'-ët e rastit Karaçeva

Kur pritet të ngritet aktakuza për ‘boss’-ët e rastit Karaçeva

Hetimet në rastin Karaçeva kanë vazhduar edhe pas ndërhyrjes së parë, atë të shtatorit të vitit të kaluar, ku morën pjesë qindra zyrtarë policorë, hetues të Inspektoratit Policor të Kosovës, zyrtarë të Doganës së Kosovës dhe të ATK-së.

Mbi 70 persona të arrestuar do të përballen me ligjin për disa vepra penale.

Kontrabandim i mallrave në mënyrë ilegale, keqpërdorim i detyrës zyrtare, mundësim në kontrabandim dhe zhvillim të lojërave të fatit, organizim i lojërave të fatit, vënie në shitje produkte nga mallra të kontrabanduara janë disa nga veprat të cilat pritet të jenë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë së Gjilanit për rastin Karaçeva.

Prokurorja e rastit Rozelida Manastiri, në një intervistë për “Kallxo Përnime” ka treguar detaje të reja për rastin ndërsa ka shpjeguar edhe rrjedhën e hetimeve që kanë ndodhur tash e tetë muaj që nga aksioni i parë.

“Përveç grupeve fillestare që janë arrestu si zyrtarë policorë edhe persona të tjerë që janë përfshi në vepra penale ne kemi vazhdu me hetime intensive dhe deri tash në procedurë kanë hyrë 87 persona”, tha Manastiri.

Madje aktakuza për këta persona është duke përfunduar.

 

“Jemi në përfundim e sipër kështu që aktakuza pritet shumë shpejt sepse jemi duke punuar në të dhe pritet të ngritet aktakuza për mbi 70 persona, kryesisht një pjesë për zyrtarët policorë për kontrabandim me mallra pastaj kemi edhe personat që janë marrë me kontrabandim të mallrave, kemi një pjesë për personat që kanë ble gjedhet e kontrabanduara dhe ata që kanë vënë në qarkullim produktet e mishit pa kontrolle adekuate prej institucioneve të autorizume. E kemi edhe grupin e katërt me persona që janë marrë me organizimin e lojërave të bixhozit”, shton ajo.

Tutje ajo shpjegon edhe rolin e zyrtarëve policorë në këtë rast.

“Duke marrë parasysh numrin e madh të zyrtarëve policorë që deri tash janë 15 policë të njëjtit me veprime të tyre kanë lehtësu dhe i kanë ndihmuar dhe nuk kanë paraqitur edhe veprat penale dhe në skaj të tyre të tjerët kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre ilegale duke kontrabanduar gjedhe nga fshati Breznicë të Serbisë në Kosovë”, shpjegon tutje prokurorja duke theksuar se gjatë hetimeve është zbuluar se për një natë deri në 100 krerë lopë janë kontrabanduar nga territori i Serbisë përmes rrugëve ilegale drejt Kosovës.

Prokurorja Manastiri ka treguar edhe se si ka funksionuar ekipi që ka kryer kontrabandimin ilegal të gjedheve.

“Kryesisht kontrabandimi i mallrave i gjedheve është bërë në mënyrë të organizuar prej personave që kanë pasur secili rolin e vet, disa kanë bërë vëzhgimin e rrugëve, pastaj me marrëveshje me disa zyrtarë policorë të cilët kanë treguar kur munden me lëviz kontrabanduesit dhe të gjitha këto veprime të tyre kanë rezultuar në bazë të masave të vëzhgimit dhe masave të fshehta që janë bërë kundër tyre”, thotë ajo.

Tutje e njëjta tregon edhe se gjedhet e kontrabanduara kanë përfunduar në ferma të ndryshme, mishtore e fabrika të mishit.

“Varësisht duke llogaritur brenda natës në mënyrë ilegale mu bartë deri në 100 kokë gjedhe varësisht qysh i kanë llogarit nga çmimi i mishit por vlerën e saktë nuk e kemi përcaktuar”, tregon tutje prokurorja e rastit Karaçeva.

Prokurorja Manastiri thotë edhe se të gjithë personat që janë identifikuar janë arrestuar.

“Edhe pse fillimisht kanë qenë shumë problem sepse pronarët kanë caktuar menaxher të kazinove dhe ata janë identifikuar në emër të menaxherëve por në bazë të hetimeve që janë bërë, kemi arritur me i identifiku të gjithë pronarët e kazinove. Deri tash i kemi 21 persona që janë marrë me organizim të bixhozit”, tregon ajo.

Hetimi më shumë se njëvjeçar i Prokurorisë Themelore në Gjilan, sipas prokurores Manastiri ka mundësuar që të gjithë personat pjesëmarrës ne vepra penale të identifikohen dhe arrestohen.

“Pavarësisht që ditën kritike nuk i kemi pasur personat, ne kemi pasur informacione edhe më herët për shkak të hetimit prandaj nuk ka qenë problem me i identifiku edhe më vonë personat që kanë marrë pjesë në organizim të lojërave të bixhozit”, tha ajo.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për arrestimet dhe konfiskimet të cilat kanë ndodhur në rastin e Karaçevës.

Aksioni në Karaçevë është realizuar në dy faza, atë të parën ku janë arrestuar më shumë se 30 persona për kontrabandë dhe lojëra fati, ndërsa në fazën e dytë janë arrestuar pronarë të fabrikave të mishit dhe mishtoreve në disa lokacione në Kosovë për shkak dyshohet se kishin blerë dhe kishin vënë në prodhim mish i cili ishte nga kafshët e kontrabanduara nga Serbia përmes rrugëve ilegale të fshatit Karaçevë.

Në fakt në aksionin në Karaçevë, janë arrestuar mbi 60 persona. Disa nga të arrestuarit janë vetëdorëzuar ditët vijuese pas operacionit.

Pra nga 71 të dyshuar për këtë rast 67 janë arrestu, 63 janë dërgu në paraburgim, katër janë liruar në procedurë te rregullt ndërsa 4 janë në arrati.

Në këtë aksion të gjerë u arrestuan edhe 12 zyrtar policor, njëri nga ta Ferid Leci, i cili sipas dosjes së prokurorisë figuron se është pronar i objektit kryesor në Karaçevë ku zhvilloheshin lojërat e fatit. Leci përveç se po dyshohet për organizim të lojërave të fatit ai dyshohet edhe për kontrabandim me gjedhe.

Përveç arrestimeve në rastin e Karaçevës në dy faza janë konfiskuar, 252 aparate të lojërave të fatit, 2 roletë të cilët janë shkatërruar në vendin e ngjarjes, 6576 euro para të gatshme, 163,650 dinarë, dy pushkë gjuetie, tri pistoleta, 63 gjedhe, 322 matrikula, 15 shtëpiza të kompjuterëve 9 DVR me video inçizime dhe prova të tjera të cilat do të përdoren në rastin e Karaçevës.

Aksioni në Karaçevë i zhvilluar më 18 shtator të muajit të kaluar erdhi si rezultat i një hetimi më shumë se një vit.

Të arrestuarit në dy fazat e rastit po dyshohen për veprat penale, organizim të lojërave të fatit, kontrabandë, blerje të kafshëve të kontrabanduara si dhe vënie në prodhim të mishit nga kafshët e kontrabanduara.

Në Karaçevë janë rrënuar edhe 13 objekte të cilat kanë funksionuar për një kohë të gjatë si kazino ilegale.

Në rastin në Karaçevë në fazën e parë kanë marrë pjesë rreth 360 zyrtarë policorë dhe rreth 70 hetues të Inspektoratit Policor të Kosovës, ndërsa në fazën e dytë rreth 230 zyrtarë policorë dhe mbi 20 hetues të IPK-së.

Emisioni Drejtësia në Kosovë një javë më parë transmetoi edhe pamjet ekskluzive nga konfiskimet e mishit në mishtoret në Gjilan, Prizren, Pejë, Suharekë dhe lokacione të tjera. Gjithashtu gjatë emisionit u shfaqën edhe pamje të mishit të prishur në një nga fabrikat e bastisura.

Në lidhje me rastin në Karaçevë në një intervistë ekskluzive për Drejtësia në Kosovë ka folur edhe prokurorja e rastit Rozelida Manastiri.

Sipas Manastirit rasti i Karaçevës është kryer me sukses duke treguar kështu se nga të gjithë personat sa kanë qenë duke u hetuar vetëm 1 është në arrati të tjerë janë arrestuar të gjithë.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments