Tuesday, May 11, 2021
HomeUncategorizedKryetari i Kamenicës i reagon ministres Nagavci: Krejt dhe Drejt apo Shkel...

Kryetari i Kamenicës i reagon ministres Nagavci: Krejt dhe Drejt apo Shkel e Shko?

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati i ka reaguar ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, pasi deklaratës së fundit të saj rreth mësimit të nxënësve të Kamenicës.

 

Kastrati thotë se kjo deklarata e saj është pasqyra e trajtimit shkel e shko të problemit të shkallëzuar e kompleks të arsimit në Kamenicë nga Ministria.

“Problemet në arsimin në Kamenicë nuk janë fare të thjeshta. Një gjysmë faqe dokument është i pamjaftueshëm dhe i pakonsideratë ndaj të gjithë atyre që janë të përfshirë dhe afektuar nga kjo reformë. Mësimdhënës, nxënës, nxënës me nevoja të veçanta, e prindër”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

Madje ai ia përmendi edhe disa raste Nagavcit, në mesin e tyre edhe sulmin seksual ndaj vajzës së mitur në Kamenicë.

“A e dini znj. Nagavci se sulmi seksual ndaj vajzës së mitur në Kamenicë i cili u bë lajm nacional javën e shkuar u zbulua nga mekanizmat e krijuar përmes reformës? A ju ka interesuar juve nëse ka të tjera raste të tilla të vajzave të mitura e të pambrojtura të cilat pa reformë do vazhdonin të abuzoheshin? A jeni interesuar për Arbër Gashin* me nevoja të veçanta fizike? Arbri më shumë nuk shkonte sesa që shkonte në shkollë, për shkak të mungesës së motivit dhe pengesave fizike? Në klasë kishte veç dy shoqe të tjera. Sot ai është i rregullt në vijimin e mësimit”, shkroi Kastrati.

Ai madje i tha Nagavcit se që problemet në arsim nuk zgjidhen me deklarata një-faqëshe.

“Është e vërtetë që ka të atillë në Kamenicë që për interesa politike e personale nuk duan t’ia dinë për kushtet e mjerueshme në të cilat kanë qenë disa nxënës. Por ata nuk janë ministra të arsimit. Juve duhet t’u bëjë për këta nxënës. Për këto tregime personale të familjeve të cilat nuk e meritojnë të nëpërkëmben. Për secilin fëmijë e drejtë e të cilit është të përfaqësohet nga liderë që nuk kalkulojnë për përfitime politike”.

Reagimi i tij i plotë:

Krejt dhe Drejt apo Shkel e Shko?
Nuk ka zgjidhje të thjeshta për probleme komplekse. Deklarata publike gjysmë-faqëshe e Ministres së Arsimit rreth mësimit të përshpejtuar të nxënësve të Kamenicës është pasqyra e trajtimit shkel-e-shko të problemit të shkallëzuar e kompleks të arsimit në Komunën e Kamenicës nga Ministria. Problemet në arsimin në Kamenicë nuk janë fare të thjeshta. Një gjysmë faqe dokument është i pamjaftueshëm dhe i pakonsideratë ndaj të gjithë atyre që janë të përfshirë dhe afektuar nga kjo reformë. Mësimdhënës, nxënës, nxënës me nevoja të veçanta, e prindër.
A e dini znj. Nagavci se sulmi seksual ndaj vajzës së mitur në Kamenicë i cili u bë lajm nacional javën e shkuar u zbulua nga mekanizmat e krijuar përmes reformës? A ju ka interesuar juve nëse ka të tjera raste të tilla të vajzave të mitura e të pambrojtura të cilat pa reformë do vazhdonin të abuzoheshin? A jeni interesuar për Arbër Gashin* me nevoja të veçanta fizike? Arbri më shumë nuk shkonte sesa që shkonte në shkollë, për shkak të mungesës së motivit dhe pengesave fizike? Në klasë kishte veç dy shoqe të tjera. Sot ai është i rregullt në vijimin e mësimit.
A e dini znj. ministre që stafi i angazhuar si rezultat i reformës i ka trajtuar deri më tani 109 fëmijë të cilët kanë nevojë për mbështetje. Këta fëmijë janë përgjigja që ju duhet të kërkoni. Ky është angazhimi për të cilin ju duhet të punoni.
A ju kujtohet znj. ministre që ishit ju ajo që e filluat reformën në Prishtinë sepse ishte e nevojshme, por u zbrapsët sepse nuk e kishit guximin. Sepse kalkuluat me suksesin dhe synuat simpatinë.
Më tregoni, me cfarë ndërgjegje synoni ta pengoni një reformë e cila i ka sistemuar 37 mësimdhënës e staf teknik me sëmundje kronike. Pse doni t’i ktheni në shkolla mësimdhënësit me sëmundje të kancerit, turbekulozës, alzheimer, sëmundje të kurrizit e të tjera sëmundje që ua pamundësojnë atyre mësimdhënien?
A e dini që një nga këta ka qenë aq i sëmurë saqë nuk ka mundur të ngjitet shkallëve për ta nënshkruar kontratën kolektive?
A e dini që prindërit e fëmijëve me probleme në të folur paguanin rreth 20 euro për seancë private para se të angazhoheshin logopedët si rezultat i reformës? A e dini që prindërit paguanin rreth 20 euro për ta dërguar fëmijën në seancë private te psikologu?
Është e vërtetë që ka të atillë në Kamenicë që për interesa politike e personale nuk duan t’ia dinë për kushtet e mjerueshme në të cilat kanë qenë disa nxënës. Por ata nuk janë ministra të arsimit. Juve duhet t’u bëjë për këta nxënës. Për këto tregime personale të familjeve të cilat nuk e meritojnë të nëpërkëmben. Për secilin fëmijë e drejtë e të cilit është të përfaqësohet nga liderë që nuk kalkulojnë për përfitime politike.
Ju duhet ta dini që problemet në arsim nuk zgjidhen me deklarata gjysmë-faqëshe. A i keni lexuar ligjet dhe udhëzimet e ministrisë të cilën ju vet e drejtoni, të cilat na obligojnë të ndërmarrim hapa për të realizuar arsimim sa më cilësor? A i keni parë vendimet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, të gjykatave, e opinionet e ekspertëve të fushës të cilët konfirmojnë se vendimi për reformë është i duhuri?
Në vend se me urgjencë të tentoni ta pengoni reformën e nisur në Kamenicë, ju do të duhej ta trajtoni me urgjencë të njejtin problem në komunat e tjera, duke marrë shembull nga Kamenica. Sepse ju siguroj që në Kosovë janë qindra klasë të tjera me 5-6 nxënës. Ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë. Është rradha juaj tani. Gjysmë faqe word nuk mjaftojnë.
Kemi kërkuar nga ju që nëse vërtetë mendoni, të dilni publikisht ta kundërshtoni reformën, por të mos i merrni në qafë nxënësit të cilët po e humbasin mësimin për shkak të paqartësisë që keni krijuar ju partitë politike njëra pas tjetrës. Por, as ju nuk e bëtë këtë. Ndonëse e dini që organizimi i shkollave në arsimin parauniversitar është kompetencë e komunës. Ndonëse e dini që nisma e Komunës së Kamenicës është e duhura. Keni vendosur të shkelni me të dy këmbët mbi etikën profesionale, para se të interesoheni për përmirësimet që kanë ndodhur në shkolla të cilat janë pajisur me pajisje laboratorike, libra, pajisje teknologjike, lap-topë e projektorë e shumë të tjera elemente esenciale për këto shkolla. Po t’i bënit detyrat e shtëpisë, do ta kuptonit që pa këtë reformë do të ishte e pamundur të përmirësoheshin kushtet infrastrukturore, rrethanat për ndërveprim të nxënësve, zbatimi i kurrikulës e në fund edhe cilësia në arsim.
Andaj, për nxënësit të cilët kanë humbur mësimin, ne do të bëjmë gjithcka në mundësitë tona që ta organizojmë mësimin në shkolla.
Zotimin për hulumtim të nivelit nacional nga Ministria e kemi marrë që në shkurtin e vitit të kaluar. Zotimin për investime në infrastrukturë poashtu e kemi marrë, dhe as i-ja e investimit nuk ka ndodhur.
Ju mbase keni kohë për të pritur dhe përshtatur vendimet tuaja ndaj kërkesave të disave që po e shtrëngojnë e manipulojnë vullnetin e komunitetit, mirëpo nxënësit e Komunës së Kamenicës kanë pritur 20 vite për ndryshime. Ju mbase nuk i dini tregimet personale të qytetarëve dhe hallet e tyre për t’u ofruar më të mirën fëmijëve të tyre. Derisa të vazhdoni të keni vesh vetëm për manipulatorët, e të mos keni guxim të merrni vendimet e duhura, shumë fëmijë do të kenë probleme në të folur, të tjerë ngecje në mësime, e të tjerë nuk do të kenë ndërveprimin e nevojshëm nga bashkëmoshatarët e as përkujdesjen e duhur nga shteti.
Unë jam kryetar i komunës dhe jam i obliguar të bëj më të mirën pa kalkuluar në kurriz të fëmijëve. Lutja ime dashamirëse është që të ftoni prindërit të bashkëpunojnë me një nismë e cila është në të mirë të fëmijëve të tyre. Fëmijët duhet ta marrin mësimin e përshpejtuar. Ata duhet të shkollohen me bashkëmoshatarë e me kushte më të mira, arsim më cilësor. Ua kemi borxh.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments