Sunday, June 13, 2021
HomeLajmeKosovaKrejt çfarë tha Gërvalla para deputetëve

Krejt çfarë tha Gërvalla para deputetëve

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla ka thënë se me ligjin për shërbimin e jashtëm do të rishikohet prezenca e të gjitha ambasadave në botë ku do të vendoset se në cilat shtete duhet të jetë e pranishme Kosova. Në raportimin e saj para deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme, Gërvalla ka deklaruar se nuk do të ketë konsuj politik dhe se mbi 50% e ambasadorëve të Kosovës në botë do të jenë diplomatë të karrierës, derisa përqindja më e vogël do të jenë të emëruar politik. Para deputetëve ajo ka folur edhe për shkarkimin e ambasadorëve dhe mundësinë që konsujt politik të lirohen gjithashtu nga detyra.

 

Gërvalla ka thënë se do të dalin me një propozim publik lidhur me prioritetet e vendosjes së ambasadave të Kosovës në botë. Për këtë, ajo ka thënë se do të kërkojnë mendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Prezenca në shtete të ndryshme e nevojshme apo e panevojshme, ligji për shërbimin e jashtëm do të vë në pikëpyetje të gjitha, ambasadat, konsullatat, prezencën tonë, mos prezencën, pra ne secilin shtet veç e veç do ta marrim në konsideratë, do të shikojmë në çfarë konkurrence është me shtetet e tjera ku do të duhej të ishim të pranishëm por që nuk jemi. Duke marrë parasysh edhe çështjen e kostos financiare për buxheti ne shtetit që ka secila prej përfaqësive tona ,duhet të jemi shumë të kujdesshëm në atë se ku i vendosim, apo ndoshta edhe më të kujdesshëm se ku nuk i vendosim ambasadat ose konsullatat tona”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka folur për emërimet e reja që do të bëhen në misionet diplomatike në botë ku ka theksuar se së paku 50% e ambasadorëve do të jenë diplomatë të karrierës.

“Proporcioni politik dhe diplomatë të karrierës nuk do të tejkalojë në asnjë moment 50-50, do të thotë së paku, jo maksimumi, por minimum 50% e ambasadorëve tanë do të jenë diplomatë të karrierës. Konsuj politik nuk ka në qeverinë tonë, nocioni konsul politik nuk është praktikë ndërkombëtare dhe nuk do të ketë të tillë. Pra të marrim vetëm ambasadorët do të jetë së paku 50% por duke marrë në konsideratë edhe konsujt, atëherë përqindja do rëndojë shumë më tepër nga diplomatët e karrierës sesa nga diplomatët politik”, ka thënë ajo.

Gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Jashtme, ministrja është pyetur nga deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi rreth reagimit të djeshëm që kjo ministri e ka bërë në Twitter, lidhur me ngjarjen në Bjellorusi.

“Mos keni menduar të mendoni që Kosova tash me qeverinë tuaj është me e fortë sesa perëndimi i dobët dhe se ju si ministri dhe qeveri do të merrni barrën për të sfiduar Rusinë. Pyetja ime e dytë është pse nuk I shkarkuat konsujt e përgjithshëm politik”, ka pyetur Musliu-Shoshi.

Lidhur me këtë, ministrja e Jashtme ka thënë se e mbanë përgjegjësinë politike.

“Ju jap plotësisht të drejtë, e marr përgjegjësinë politike për atë twit, përpjekja për të futur 270 shkronja një mesazh të komplikuar, duke lënë anash lidhëset, ka shkaktuar një tekst i cili është[…]u jap shumë të drejtë, nuk kam çfarë të zbukuroj ashtu është, e kemi marrë të njëjtin tekst e kemi zgjeruar në fjalor, i kemi futur lidhëset, e kemi marrë të njëjtin mesazh dhe mendojmë që kemi një tekst të kuptueshëm që është një mesazh të cilin kemi dashur ta përçojmë. Sa i përket saj Kosova e fortë, Kosova synon, dëshiron dhe do të jetë gjithmonë në anën e aleatëve të saj të rëndësishëm”, tha Gërvalla.

Ndërsa duke folur për shkarkimin e 13 ambasadorëve, Gërvalla ka thënë se nuk ka vepruar njëjtë edhe me konsuj politik për shkak të rrezikut që përfaqësitë e Kosovës në botë të mbesin të zbrazëta.

“Shkarkimi i 13 ambasadorëve në të njëjtën kohë dhe afati i dhënë atyre që deri më 30 gusht të ushtrojnë funksionet e tyre me qëllim që mos të krijohet një zbrazësi vakum institucional i përfaqësimit të Kosovës jashtë vendit, e pamundëson marrjen e hapave radikal me shkarkime në numër edhe më të madh. Pra, ne përpiqemi të vendosim ligjshmërinë lidhur me ekuilibrin që duhet vendosur me ambasadorët politik, ne do t’i emërojmë ambasadorët e rinj ,do të sjellim emrat e tyre në Parlament, do t’i kalojmë procedurat e nevojshme parlamentare, do të kërkojmë akreditimet e tyre dhe tek atëherë kur të jemi të sigurt që një zbrazësi e kemi mbushur do të mund të hapim zbrazëtirën tjetër”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja e Jashtme ndër të tjera ka deklaruar se ka gjetur shkelje të mëdha në këtë institucion, me çka tha se është marrë në javët e para pas marrjes së detyrës.

“Në ministri ka pasur gradime të parregullta, në Ministrinë e Punëve të Jashtme ka pasur shkelje të kritereve jo vetëm për gradime por edhe për dërgim të personelit që shërbejnë jashtë vendit. Unë mund të ju them që në Ministrinë e Punëve të Jashtme vetëm një zonjë e kemi në departamentin e IT-së, sepse të gjithë të tjerët kanë shkuar diplomatë dhe ajo zonja kujdeset për 170 kompjuterë në ministri dhe mbi 170 të tjerë jashtë nëpër ambasada, dhe shqetësimi im kryesor në mëngjes kur vi në punë është ‘ku është Afërdita’, sepse sikur Afërdita të sëmuret ne na bie sistemi komplet”, ka thënë ajo.

Gjatë mbledhjes së komisionit pati edhe përplasje në mes mes të kryetarit dhe nënkryetarit të komisionit, e kjo erdhi pasi kryetari i komisionit, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi bëri përpjekje të ndërpresë Xhavit Halitin e PDK-së gjatë fjalimit të tij drejtuar ministres Gërvalla.

“Nuk po intervenon hiç sepse jam duke diskutuar unë. Unë jam duke folë dhe mos më ndërhyj, nuk ke të drejtë absolutisht, ti mundesh veç me e dhënë fjalën. Funksioni yt këtu është me e dhënë fjalën. Pse mos me rrehemi ne këtu, unë më shumë kam respekt për të (ministren). Nuk jam me ty në parti, nuk vi me ta bë qejfin, unë jam oponencë e qeverisë dhe unë po e kundërshtoj asgjë, unë po du me e ndihmu për çështjet nëpër të cilat kemi kaluar që 20 vjet. Ti i ke kqyr prej së largu, edhe kjo nuk ka qenë pjesë e institucioneve. Ti je marrë me atë fondacionin tënd”, ka thënë Haliti.

“Mos të tregoj me çka je marr ti zoti Haliti të lutëm. Përfundoje të lutëm fjalinë”. Ka thënë Abazi.

“Trego, nuk po du me e përfundu por trego, mos u bë dyfytyrësh, mos le të panjohura, trego krejt. Niveli kolegial me ofendime nuk mbahet. Nuk je në proces ti, ti i ke menaxhuar paratë e fondit të atij Rocfellerit, ty të ka pagu dikush , nuk ke qenë në pozita të Kosovës. Hajde i çelim bashkë këtu. Mos më ndërhyj sepse nuk ke të drejtë askund me më ndërhy në fjalë. Nuk ke ti më mësu asgjë, nuk je mësuesi im, je këtu me ma dhënë fjalën”, ka thënë Haliti.

“Edhe ty të ka paguar Vendlindja thërret. Zoti Haliti përfundoje”, ka shtuar Abazi.

Në këtë mbledhje të komisionit, ministrja Gërvalla ka folur edhe për çështjen e vizave për kosovarët, për çka ka thënë se nuk do të lënë gur pa lëvizur e kontakt pa shfrytëzuar në mënyrë që binden vendet skeptike për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ndërsa rreth dialogut me Serbinë, ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do t’i ikë normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, meqë siç ka deklaruar aj, Kosova i ka të gjitha argumentet në anën e saj.

Pjesa e fundit e raportimit te Gërvallës në komisionin për Punë të Jashtme është mbajtur pa praninë e mediave, për siç është thënë, shkaku i ndjeshmërisë së disa temave për te cilat raporton ministrja./G.Kadrija

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments