Thursday, February 2, 2023
HomeLajmeKosovaKosova e mbushur me pesticide me afat të skaduar, ky është vendi...

Kosova e mbushur me pesticide me afat të skaduar, ky është vendi ku ruhen ato

Pesticide me afat të skaduar prej më shumë se 15 vitesh ruhen në Vitomiricë, në depon e Institutit Bujqësor të Kosovës. Prej tyre ka substanca të cilat janë shumë të rrezikshme, të ndaluara nga Bashkimi Evropian.

Dera është ndryshkur. E dritarja është nxirë. Aty, ka materie kimike që ruhen brenda tash e shumë vite.

E ky objekt i vjetër nuk është larg shtëpive të banuara.

Për këtë ka pasur ankesa edhe nga banorët e fshatit Vitomiricë të Pejës. Kjo për shkak të pretendimit se tokat bujqësore afër deponisë janë kontaminuar.

Një gjë të tillë, e thonë si banorët ashtu edhe zyrtarët e Institutit Bujqësor.

“Depoja ka qenë ekzistuese realisht dhe nuk i përmbushë kriteret për këtë çështje. Kështu që kjo gjendje që është në atë pjesë si pasojë e shkaktimit të avujve të tyre kemi pasur edhe reagime edhe inicim të procedurës, një ankesë të komunitetit aty. Por mungesa e kapaciteteve për testimin e mbetjeve në ajër, ajo ka mbetur si temë e pashtjellume prej komisionit, prej inspektoratit komunal”, deklaroi Fehmi Geci, Instituti Bujqësor i Kosovës.

Për të parë gjendjen e krijuar, aty ishte edhe ekipi i Tëvë1

Në këtë vend, pesticidet i sjellin Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.

Kjo ndodhë jo vetëm për pesticide me afat të skaduar, mirëpo edhe ato të cilat shiten ilegalisht dhe më pas konfiskohen.

“Janë raste shumë të rralla kur kemi gjet pesticide ilegale, Sa herë janë gjetur kanë qenë në sasi tepër të vogla dhe menjëherë inspektori ka inicuar procedurën për gjykatë. Këto gjithmonë konfiskohen nga ana e inspektorëve tonë dhe ne i dërgojmë në IBK në Pejë- në Institutin Bujqësor të Kosovës në Pejë”, tha Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi.

Por këto produkte nuk i sheh problematike Dogana e Kosovës.

“Brenda një viti fiskal ne aplikojmë 3 deri në 5 milion gjoba të ndryshme për kompanitë të cilat nuk i përputhen legjislacionit aktual. Nuk mund të themi se është një produkt i cili ka qenë problematik. Realisht importi i tij kërkon një licencë paraprake dhe për këtë arsyet kompanitë importuese të tyre nuk janë kompani të cilat në të kaluarën kemi pas probleme”, tha Adriatik Stavileci nga Dogana e Kosovës.

E nga Ministria e Bujqësisë, në listën e pesticideve të lejuara për vitin 2022, ka të tilla të cilat janë të ndaluara për përdorim në BE.

Megjithatë, deri më tani, cilat lloje të pesticideve janë parë të shiten ilegalisht në tregun kosovar?

“Ne kemi hasë p.sh Kaptonin, Dakonillin dhe disa preparate tjera që janë të ndaluara dhe shiten në mënyrë ilegale, shiten tinëz. Ato gjenden në depot e disa barnatoreve dhe në disa prej kompanive që merren me distribuimin e tyre dhe kjo është tepër shqetësuese, sepse këto preparate mbeten dhe kalojnë në frute të cilat ne i përdorim për ushqim”, deklaroi Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqëve.

Ndërsa mos-kontrollimi i tyre çon në sëmundje të shumta.

“Ky është një indikator me tregu se ka shumë mundësi që përdoren më shumë se sa norma e lejuar dhe po u tejkaluan këto norma normalisht që shkakton dëm në organizimin tonë dhe një prej pjesëve të dëmit e merr edhe sëmundja e kancerit dhe unë mendoj që këtu duhet bërë shumë”,u shpreh onkologu, Ekrem Hyseni.

Gjatë vitit 2022, importi më i lartë i pesticideve ka qenë nga Serbia.

E për këtë, Federata Sindikale e Bujqve është shprehur e shqetësuar, pasi sipas kësaj federate, substancat që vijnë nga ky shtet janë me kualitet të dobët dhe me përmbajtje dëmtuese.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments