Wednesday, May 12, 2021
HomeTop LajmetIsh-fabrika e metalit në Kukës që Specialja e quan objekt të krimit...

Ish-fabrika e metalit në Kukës që Specialja e quan objekt të krimit të UÇK-së

Ish-fabrika e metalit në Kukës i ka shërbyer Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u përgatitur për luftë dhe sot e kësaj dite mban një pllakë përkujtimore për atë periudhë. Për Zyrën e Prokrurorit të Specializuar në Hagë, ky objekt është vend krimi.

Një objekt me xhama të thyer e gati i rrënuar në oborrin e rrethuar me disa depo të ndryshkura në Kukës të Shqipërisë, përmendet mbi dhjetë herë në dy aktakuza të konfirmuara nga Gjykata Speciale me seli në Hagë kundër ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-komandanti i UÇK-së, Pjetër Shala, u desh të paraqitej për herë të parë para Gjykatës Speciale të hënën për t’u deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që pretendohet t’i ketë kryer në fund të luftës. Krimet për të cilat akuzohet ai, pretendohet të jenë kryer në atë objekt njëkatësh ku dikur ishte prodhuar shumëçka.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, i tha Gazetës Express se nuk e di as ku i bie kjo fabrikë.

“Çka e di unë. Në luftë kam qenë në Qyqavicë. Fabrika ka pasë Shqipëria sa të duash”, tha ai.

Ish-fabrika e metalit në Kukës, gjatë fundit të luftës në Kosovë ka shërbyer si bazë ushtarake e UÇK-së. Në periudhën mars – qershor të vitit 1999, sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në atë objekt ishin kryer krime. Aty, dhjetëra persona, kryesisht shqiptarë të Kosovës të akuzuar si bashkëpunëtorë të regjimit serb, por edhe serbë e romë, sipas aktakuzës, janë burgosur, rrahur, torturuar e vrarë.

Ish-fabrika e metalit, Kukës, Shqipëri

Pronari i këtij objekti, Asllan Elezi, ka mohuar akuzat e Speciales. “Këto janë shpifje vetëm për ta ulur moralin dhe dinjitetin e atyre burrave që e kanë la Kosovën me gjak – ushtarët e UÇK-së. Unë mbaj përgjegjësi për këto që flas. Mbaj përgjegjësi para ligjit”, ishte shprehur ai për Top Channel.

Këtë fabrikë të shkretë, hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar e kishin vizituar në vitin 2019. Pronari thoshte se ata kishin arritur të gjenin vetëm tetë fishekë.

Gazetari nga Tirana, koloneli i ushtrisë shqiptare i cili vdiq në vitin 2012, Halil Katani, shkruan në librin e tij “Kudusi Lame – gjeneral i luftës”: “Ato njësi [të policisë ushtarake të UÇK-së] kanë luajtur një rol të rëndësishëm në vendosjen e disiplinës në grupet e UÇK-së të trajnuara në rajonin e Kukësit, si dhe në kapjen e agjentëve serb të cilët hynin në vend në mesin e refugjatëve nga Kosova”.

Halil Katana

Akuzat e Speciales janë mohuar nga ish-ushtarë të UÇK-së. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, beson se Gjykata Speciale është politike. “Ajo mund të shpifë sa të dojë. Ajo merret me shpifjet që i bën Serbia, me dokumentet që ua jep Serbia”, tha ai.

Jozyrtarisht, thuhet se në Kukës janë mbajtur ushtarë “me probleme disiplinore”.

UÇK-ja e përdori ish-fabrikën e metalit në Kukës për qëllime të ndryshme ushtarake, ndër të tjera, për marrjen, magazinimin dhe shpërndarjen e pajisjeve dhe furnizimeve, e regjistrimin e vullnetarëve. Ajo thuhet të jetë përdorur gjithashtu si pikë përgatitore dhe tranzitore për anëtarët e UÇK-së që shkonin e ktheheshin nga pozicionet pararojë.

Pandeli Majko, i cili qe kryeministër i Shqipërisë në periudhën kur pretendohet të jenë kryer këto krime, kishte mohuar gjithçka.

“Po të kishin qenë të vërteta, do ishin bërë shumë dokumentare. Do kishte informacione nga shtete të NATO-s”, është shprehur Majko.

Ne hyrje te qytetit, ne zonën industriale të Kukësit bie në sy ky objekt, i cili mban edhe një pllakë përkujtimore.

“Në këtë shtëpi ishte vendosur shtabi nr.1 ku merrnin detyrat për çdo ditë përgjegjësit e mobilizimit të përgjithshëm të UÇK-së. Në prill, mars, maj të vitit 1999 mobilizimi bëhej me urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, shkruhet ndër tjerash në këtë pllakë.

Sipas dëshmive, në këtë objekt janë trajnuar më shumë se 12 mijë trupa, të cilët më pas dërgoheshin në një bazë tjetër të UÇK-së, në fshatin Vlahën. Banorë të këtij fshati kishin thënë për Euronews Albania se nuk ka ekzistuar asnjë burg në atë zonë, por vetëm baza të UÇK-së.

Ish-fabrika e metalit në aktakuzën kundër Pjetër Shalës

Në aktakuzën kundër Pjetër Shalës, ish-fabrika e metalit në Kukës përshkruhet si e tmerrshme. Duke u përshkruar si qendër për ndalimin dhe marrjen në pyetje të personave të cilët dyshoheshin se kishin bashkëpunuar me Serbinë, apo të cilët nuk përkrahnin UÇK-në, aty pretendohet se u kryen disa krime makabre.

Ish-fabrika e metalit, Kukës, Shqipëri

“Afërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, Pjetёr SHALA dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës. Qëllimi i përbashkët përfshinte kryerjen e krimeve si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme”, thuhet në aktakuzë.

Në të, përfshihen edhe ish-pjesëtarë tjerë të UÇK-së si Sabit Geci, Xhemshit Krasniqi e të tjerë të cilët Specialja i konsideron si “anëtarë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale” dhe thotë se qëllimin e kishin të përbashkët.

“Afërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, Pjetёr SHALA dhe disa anëtarë të tjerë të UÇK-së, ndër të cilët Sabit GECI, Xhemshit KRASNIQI dhe ushtarët e UÇK-së [REDAKTUAR], u hoqën lirinë [REDAKTUAR] personave pa proces ligjor të rregullt në fabrikën e metalit në Kukës. Ata u mbajtën në qeli të improvizuara të ruajtur nga roja të armatosura, u prangosën dhe u lidhën, iu morën dokumentet e udhëtimit dhe paratë dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës, sikurse përshkruhet në paragrafët e mëposhtëm 18-24 dhe 26. Këta persona u arrestuan dhe u mbajtën të ndaluar pa bazë ligjore, nuk u informuan për arsyen e arrestimit ose ndalimit të tyre dhe/ose nuk iu dha mundësia të paraqisnin ankesë për ndalimin e tyre”, thuhet ndër tjerash në aktakuzën kundër Shalës.

“Komandant Ujku” akuzohet edhe për raste tjera ku pretendohet se mori pjesë në kryerjen e krimeve të këtij lloji. Ai dhe disa të tjerë, sipas aktakuzës pretendohet se i mbanin të ndaluar disa persona pa proces ligjor, pa ushqim dhe ujë të mjaftueshëm.

“Gjithashtu, afërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, Pjetёr SHALA dhe disa anëtarë të tjerë të UÇK-së, ndër të cilët Sabit GECI, Xhemshit KRASNIQI dhe ushtarët e UÇK-së [REDAKTUAR], në mënyrë të përsëritur keqtrajtuan të ndaluarit në fabrikën e metalit në Kukës si fizikisht, ndër të tjera përmes rrahjes me mjete të ndryshme, po ashtu edhe psikologjikisht, ndër të tjera përmes kërcënimit me vdekje dhe kërcënimit me lëndim të rëndë fizik, frikësimit, poshtërimit, diskriminimit për arsye politike, kanosjes, ngacmimit, marrjes në pyetje dhe dhënies së deklaratave dhe pranimit të detyruar ose nën shtrëngim. Të ndaluarit u keqtrajtuan fizikisht dhe psikologjikisht në pranitë të ndaluarve të tjerë. Disa prej tyre u detyruantë bënin punë krahu gjatë kohës që u mbajtën të ndaluar”, thuhet tutje në aktakuzë.

Aktakuza pretendon gjithashtu se Pjetёr Shala dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së i kërcënuan të ndaluarit dhe i akuzuan si bashkëpunëtorë të autoriteteve serbe dhe si mospërkrahës të UÇK-së. Në maj 1999, “Komandant Ujku” dhe të tjerët akuzohen të kenë marrë pjesë në një keqtrajtim në këtë ish-fabrikë, i cili kishte përfunduar me vdekje.

“Më 17 maj 1999, ose rreth kësaj date, [REDAKTUAR] u arrestua dhe u mbajt i ndaluar nga disa anëtarë të UÇK-së në një ish-fabrikë metali në Kukës, Shqipëri. [REDAKTUAR] dhe të ndaluar të tjerë u rrahën egërsisht pothuaj çdo ditë nga disa anëtarë të UÇK-së, ndër të cilët Sabit GECI. Më 4 qershor 1999, ose rreth kësaj date, gjatë një keqtrajtimi të tillë, [REDAKTUAR] u qëllua [REDAKTUAR]. Të nesërmen [REDAKTUAR] vdiq si pasojë e keqtrajtimit”, thuhet në aktakuzë.

Ish-fabrika e metalit në aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit

Akuza të njëjta i ngarkohen edhe ish-krerëve të lartë të UÇK-së, ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-ministrit të rendit në qeverinë e përkohshme, Rexhep Selimit.

Ish-fabrika e metalit, Kukës, Shqipëri

Zyra e Prokurorit të Specializuar i akuzon Thaçin dhe të tjerët për krimet në ish-fabrikën e metalit. Së paku, sipas ZPS-së, Thaçi dhe të tjerët ishin ose do të duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve, në disa prej të cilave akuzohen se morën pjesë personalisht.

“Midis majit dhe qershorit 1999, disa anëtarë të UÇK-së, ndër të cilët Sabit GECI, mbajtën të ndaluar së paku 20 persona për periudha kohe të ndryshme dhe pa proces ligjor të rregullt në një ish-fabrikë metali në Kukës, rrethi i Kukësit, Shqipëri. Të ndaluarve iu konfiskuandokumentet e udhëtimit dhe gjësendet personale. Ata u vunë nën pranga, u lidhën dhe u mbajtën nën rojë të armatosur në dhoma të kyçura dhe me dritare me shufra hekuri. Disa të ndaluar në Kukës u transferuan nga ose për në qendra të tjera ndalimi, [REDAKTUAR]”, thuhet në aktakuzën kundër Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit.

Më imtësisht, një akuzë më vete rëndon mbi ta, ku ish-liderët e UÇK akuzohen se në ish-fabrikën e metalit në Kukës kanë burgosur 12 persona, të cilët u arrestuan dhe ruheshin në periudha të ndryshme kohore. Po ashtu ka pretendime se ish-anëtarët e UÇK edhe kanë vrarë njerëz në këtë objekt.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments