Sunday, June 13, 2021
HomeLajmeKosovaHesht qeveria Kurti: Pamje kur Arkani merrte pjesë në gurthemelin e Kishës...

Hesht qeveria Kurti: Pamje kur Arkani merrte pjesë në gurthemelin e Kishës ku sot u mbajt liturgjia

Sot në Kishën Ortodokse Serbe në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, për herë të parë që nga viti 1998 u mbajt një meshë e cila u udhëhoq nga peshkopi Teodosje. Kjo nxiti reagime të mëdha nga forcat opozitare në vend, pasi që u konsiderua si provokim i rëndë nga pala serbe, pasë parasysh që në Kosovë vetëm pas dy ditësh festohet dita e çlirimit.

E çështja e Kishës Ortodokse Serbe në Kampusin e UP-së për dikë që ka përjetuar periudhën e para-luftës ngjallë frikë, e emocione aspak të këndshme, shkruan lajmi.net.

Ishte 5 dhjetori i vitit 1992 kur kësaj Kishe në qendër të Prishtinës i ishtë vënë gurthemeli. Në mesin e shumë figurave të kohës së ish-Jugosllavisë, i pranishëm në atë ceremoni ishte edhe krimineli i njohur serb, përgjegjës për shumë krime të kryera në Kosovë, Arkani.

Ky i fundit, komandonte paramilitarët e quajtur “Tigrat”.

Shumë klerikë fetarë ortodoksë serbë, serbë të Kosovës dhe të ardhur merrnin pjesë në fillimin e ndërtimit të kësaj kishe me prapavijë jo fetare por nacionaliste e shoviniste, në kampusin e Universitetit të Prishtinës, në kohën kur universiteti nuk kishte asnjë shqiptarë, të gjithë të larguar nga regjimi serb, përveç shërbëtorëve të atij regjimi, ndonjëri prej të cilëve do të jetë edhe nënshkrues i lejes për këtë atë kishë.

Rikthimi pas në kohë, tani kur serbët aty organizuan meshë pas më shumë se 23 vitesh, ka shkaktuar reagime të mëdha në opinion.

Kreu i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se mesha e sotme aty është mbajtur me dijeninë e plotë të qeverisë së Kosovës.

Liturgjinë në fjalë, ai e ka quajtur politike dhe që për qëllim ka shtrembërimin e historisë së vërtetë të regjimit gjenocidial të Millosheviqit.

“Kjo liturgji më së paku është fetare. Gjithçka rreth saj është politike, që për qëllim ka vetëm shtrembërimin e historisë, të vërtetës dhe arsyetimin e një regjimi gjenocidial si ai i Millosheviqit. Gërmadha e ngritur dhe e papërfunduar në kohën e okupimit, duhej të trajtohej si e tillë – një projekt tjetërsimi shovenist ndaj shqiptarëve që u ndal dhe nuk përfundoi asnjëherë”, ka shkruajtur Hoxhaj.

Reagim ka pasur edhe nga Daut Haradinaj i AAK-së. Ky i fundit ka thënë se liturgjia e mbajtur sot aty shkel rëndë dinjitetin e Republikës së Kosovës.

“Me gjithë respektin për liritë fetare, liturgjia ortodokse serbe e mbajtur sot në kishën e kontestuar në oborrin e Universitetit të Prishtinës, kishë kjo e ndërtuar mbi idetë fashiste millosheviqiane, është shkelje e dinjitetit të Republikës sonë e mbi të gjitha ofendim ndaj qytetarëve tanë”, ka shkruar Haradinaj.

Reagime të ashpra ka pasur edhe nga akterë të tjerë të shoqërisë civile si dhe nga organizata tjera studentore.

Ndërkaq, të vetmit që s’e kanë folur asnjë fjalë për liturgjinë e sotme, janë zyrtarët e qeverisë së Kosovës.

Në videon e mëposhtme, duke filluar nga minuta 14:57, mund të ndiqni pamjet ku shihet krimineli Arkani duke marrë pjesë në gurthemelin e Kishës Ortodokse në Prishtinë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments