Monday, June 14, 2021
HomeBotaHamasi hedh 130 raketa në drejtim të Tel-Avivit, Izraeli shemb kompleksin në...

Hamasi hedh 130 raketa në drejtim të Tel-Avivit, Izraeli shemb kompleksin në Gazë

Hamasi tha në një deklaratë se kishte lëshuar 130 raketa në drejtim të Tel-Avivit dhe rrethinave të tij.

Krahu i armatosur i Hamasit tha se e kishte ndërmarrë këtë akt si kundërpërgjigje ndaj sulmit ajror izraelit kundër një kompleksi banimi 13 katësh në Rripin e Gazës, i cili u shemb të martën mbrëma pas goditjes.

Izraeli njoftoi se në Tel-Aviv të paktën një person ishte plagosur nga raketat e Hamasit dhe se të gjitha fluturimet në aeroportin ndërkombëtar të Ben Gurionit ishin anuluar.

Shtëpia e Bardhë dënoi të martën sulmet me raketa nga Hamasi dhe grupe të tjera kundër objektivave në Izrael dhe tha se Izraeli ka një të drejtë legjitime për t’u vetëmbrojtur.

Por zyrtarët amerikanë njëkohësisht i bënë presion Izraelit për çështjen e trajtimit të palestinezëve, duke thënë se Jeruzalemi “duhet të jetë një vend i bashkëjetesës”.

“Jeruzalemi, një qytet me një rëndësi kaq të madhe për njerëzit e besimit në të gjithë botën, duhet të jetë një vend bashkëjetese,” u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki. Ajo tha se vemendja kryesore e SHBA tani është te ulja e tensioneve.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se kishte folur me partnerët izraelitë dhe me zyrtarët palestinezë për gjendjen e krijuar dhe se kishte parë disa hapa inkurajuese si nga pala izraelite edhe nga ajo palestineze.

Në Gazë, pamjet video të kompleksit të goditur nga sulmi ajror izraelit tregonin shtëllunga tymi të dendur, ndërsa katet e sipërme ishin ende të paprekura derisa u shembën në tokë.

Kompleksi strehonte një zyrë që përdoret nga Hamasi, udhëheqja politike e qeverisësve islamistë të Gazës.

Izraeli dërgoi 80 avionë për të bombarduar Gazën të martën dhe grumbulloi tanke në kufi ndërsa breshëritë e raketave goditën qytetet izraelite për të dytën ditë, duke thelluar një konflikt në të cilin kanë humbur jetën të paktën 28 njerëz në enklavën palestineze të Gazës dhe dy në Izrael janë vrarë.

Shpërthimi i luftimeve, më i rëndi që nga viti 2019 midis Izraelit dhe fraksioneve të armatosura në Gaza erdhi pas përplasjeve mes palestinezëve dhe policisë izraelite në Xhaminë al-Aksa të Jeruzalemit të hënën.

Banorët e kompleksit dhe njerëzit që jetojnë në afërsi të tij ishin paralajmëruar të largoheshin rreth një orë para sulmit ajror, sipas dëshmitarëve. Nuk është e qartë nëse ndërtesa ishte evakuuar plotësisht, apo nëse pati viktima.

Qyteti i shenjtë i Jeruzalemit ka qenë i tensionuar gjatë muajit të agjërimit musliman të Ramazanit, sidomos pas kërcënimit të një vendimi gjykate për dëbimin e palestinezëve nga shtëpitë që pretendohen nga kolonët hebrenj.

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të intensifikojë sulmet në Gaza, një enklavë prej 2 milion banorësh, në përgjigje të sulmeve me raketa, të cilat vazhduan deri në orët e para të mbrëmjes.

“Si fuqia e sulmeve ashtu edhe shpeshtësia e tyre do të rritet,” tha ai në një deklaratë me video.

Brenda një ore pas deklaratës, Izraeli tha se kishte dërguar 80 avionë për të bombarduar vendet nga lëshoheshin raketave në Gaza dhe rreth saj. Nga zonat me popullsi të dendur u panë të ngriheshin shtëllunga tymi.

Zyrtarët thanë se këmbësoria dhe forca të blinduara po dërgoheshin për të përforcuar tanket tashmë të grumbulluara në kufi, duke evokuar kujtimet e ndërhyrjes së fundit izraelite në Gaza në vitin 2014 për të ndalur sulmet me raketa.

Në luftën që pasoi dhe që zgjati shtatë javë, në Gaza u vranë më shumë se 2,100 persona, sipas ministrisë së shëndetit të Gazës, si dhe 73 izraelitë, ndërkohë që mijëra shtëpi në Gaza u rrafshuan.

Të martën, para se të shembej kompleksi i banimit, ministria e shëndetësisë në Gaza tha se të paktën 28 palestinezë, përfshirë 10 fëmijë, ishin vrarë dhe 152 ishin plagosur nga sulmet izraelite që nga e hëna, kur Hamasi lëshoi raketa drejt Jeruzalemit, për herë të parë që nga viti 2014.

Shërbimi kombëtar izraelit i ambulancave tha se dy gra ishin vrarë nga sulmet me raketa në qytetin jugor Ashkelon.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) u bëri thirrje të gjitha palëve që të tërhiqen dhe u kujtoi atyre kërkesën e ligjit ndërkombëtar që të përpiqen të shmangin viktimat civile.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian dënoi sulmet me raketa nga Gaza në Izrael por gjithashtu tha se ishte i shqetësuar për kërcënimin e dëbimit të detyruar të banorëve palestinezë nga lagjja Sheikh Jarrah e Jeruzalemit Lindor

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments