Saturday, June 12, 2021
HomeBotaErdogan i kërkon Papës të ndihmojë në çështjen e palestinezëve

Erdogan i kërkon Papës të ndihmojë në çështjen e palestinezëve

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i kërkoi Papa Françeskut të ndihmojë në mobilizimin e botës për të miratuar sanksione kundër Izraelit për “masakrën” e tij ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës.

 

Turqia ka shtuar angazhimin diplomatik për situatën në Gazaa dhe telefonata midis Erdoganit dhe Papa Françeskut u zhvillua në këtë vijë.

Erdogan i tha Papa Françeskut se “palestinezët do të vazhdojnë t’i nënshtrohen një masakre nëse bashkësia ndërkombëtare nuk e dënon Izraelin me sanksione”, tha presidenca turke.

Sipas Turqisë, mesazhet e Papës janë të një rëndësie të veçantë për të “mobilizuar botën e krishterë dhe bashkësinë ndërkombëtare”

Të dielën, Papa Françesku, tha se humbja e jetëve të pafajshme në Gaza ishte “e tmerrshme dhe e papranueshme”.

Erdogan, i cili ka mbështetur çështjen palestineze gjatë qeverisjes së tij 18-vjeçare, ka folur vazhdimisht kundër veprimeve të Izraelit.

Ai i tha Papës se “i gjithë njerëzimi duhet të jetë i bashkuar kundër” Izraelit.

Në përpjekje për të marrë mbështetje ndërkombëtare për sanksione të mundshme ndaj Izraelit, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu bisedoi me homologun e tij britanik, Dominic Raab.

Cavusoglu i tha Raabit se është “thelbësore që bashkësia ndërkombëtare të bëj një reagim të fortë” ndaj agresionit të Izraelit, tha një burim i ministrisë së jashtme turke.

Izraeli ka vazhduar edhe të hënën në mëngjes fushatën e sulmeve ajrore në qytetin e Gazës, pavarësisht thirrjeve për t’i dhënë fund luftës.

Aeroplanët luftarakë izraelitë ndërmorrën 80 sulme ajrore në disa zona të qytetit të Gazës, menjëherë pasi militantët e Hamasit hapën një breshëri raketash në Izraelin jugor.

Përmes një deklarate, Forca e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) tha se “avionët luftarakë po godasin objektivat e terroristëve në Rripin e Gazës”.

Ushtria tha se ka shkatërruar 15 kilometra tunele të militantëve si dhe shtëpitë e nëntë komandantëve të pretenduar të Hamasit.

Zyrtarët palestinezë në Gaza thonë se e diela ishte dita më vdekjeprurëse që nga fillimi i luftimeve me Izraelin.

Nga sulmet ajrore izraelite janë vrarë më shumë se 40 njerëz, thanë zyrtarët shëndetësorë që kontrollohen nga Hamasi.

Grupi militant islamik Hamas filloi sulmin me raketa në Izrael, pas disa javësh tensionesh në Jerusalem mes palestinezëve dhe izraelitëve.

Sulmet pasuan kundërshtimet për një çështje gjyqësore për të dëbuar disa familje palestineze në Jerusalemin Lindor dhe në shenjë hakmarrjeje për përplasjet e policisë izraelite me palestinezët pranë xhamisë Al-Aksa të qytetit, vendi i tretë më i shenjtë i Islamit.

Izraeli në shenjë hakmarrjeje nisi sulme ajrore dhe artilerie në Gaza./REL/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments