Saturday, June 19, 2021
HomeLajmeKosovaDrafti i parë për Vettingun në muajin gusht, Ministria e Drejtësisë jep...

Drafti i parë për Vettingun në muajin gusht, Ministria e Drejtësisë jep detaje

Procesi i vettingut do të shërbejë për ngritjen e profesionalizmit të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe do ta rris besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, kështu po konsideron zyrtari i lartë në ministrinë e Drejtësisë, Genc Nimoni.

“Vettingu është një proces, që ne mendojmë që do t’i ndihmojë shumë ngritjes së profesionalizimit, fillimisht në sistemin e drejtësisë, verifikimit të anës joprofesionale të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, ngritjes së integritetit dhe në fund do ta rris edhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë” , është shprehur ai.

Nimoni thotë se Kosova ka mekanizma që bëjnë verifikim e performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, por që nuk kanë qenë aq funksionale deri më tani.

“Ne kemi disa mekanizma që kuadër të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të cilët bëjnë vlerësimin e performancës së gjyqtarëve dhe të prokurorëve dhe gjithashtu njëfarë verifikimi të integritetit që bëhet në faza të caktuara. Mirëpo nga themelimi i këtyre mekanizmave që nga viti 2014/15 këta mekanizma nuk kanë qenë aq funksional kurse nëse shikojmë statistikat e vitit 2018/19 shohim se këto komisione për vlerësimin e përformancës me vlerësimet e tyre kanë konstatuar që në vitin 2018 është 94 për qind të prokurorëve dhe 100 për qind të gjyqtarëve që janë vlerësuar me Mirë dhe Shumë Mirë, asnjë nga ta nuk është vlerësuar Pamjaftueshëm. Ndërsa në vitin 2019 është 94 përqind për prokurorë dhe 98 për gjyqtarë që janë vlerësuar Shumë Mirë dhe Mirë”,  ka shtuar ai.

Tutje Nimoni ka siguruar se procesi i vettingut do të realizohet duke ndjekur hapa të sigurt e profesional, bazuar në standarde ndërkombëtare.

“Kjo tregon më së mirë për funksionalitetin e këtyre dy mekanizmave në kudër të Këshillit Gjyqësor dhe  Këshillit Prokurorial të cilët do të duhej të ishin në nivel të detyrës dhe ne kemi parë që nuk janë funksional dhe duke llogaritë gjendjen në cilën jemi, mungesën e besimit të qytetarëve, jo efikasitetin profesional dhe gjithashtu jo integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ne mendojmë që ka nevojë për një verifikim të integritetit të tyre etik, profesional dhe verifikim e pasurisë së tyre që do të jenë tri baza tutje për zhvillimin e Vettingut. Mendojmë që kjo do ta pastrojë sistemin e drejtësisë dhe natyrisht që kjo do të bëhet me hapa të sigurt profesional dhe bazuar në standarde ndërkombëtare”, ka theksuar ai.

Më tej ai ka njoftuar se tashmë ministria e Drejtësisë është në fazën finale të draftit të parë të koncept dokumentit për vettingun i cili pritet të përfundojë në gusht të këtij viti.

“Realisht kjo do të ndodhë me faza. Tashmë jemi në fazën e finalizimit të draftit të parë të koncept-dokumentit dhe koncept dokumenti do të jetë i gatshëm në fund të gushtit, ajo do të aprovohet në Qeveri dhe tutje do t’i hap rrugë zhvillimit të procesit, qoftë me ndryshime ligjore, qoftë me ndryshime kushtetuese. Ky koncept dokument do ta përcaktojë saktë formën dhe do të jap opsione sesi duhet të ndodhë Vettingu në Kosovë. Pastaj pas gushtit hapet rruga për zhvillimin e procesit të Vettingut”,  ka potencuar ai.

Poashtu Nimoni e ka vlerësuar këtë proces si një nga më të mëdhatë që Kosova ka pasur që nga paslufta për pastrimin e sistemit të drejtësisë.

“Është një proces që duhet të ketë kujdes të madh profesional dhe duhet të ndodhë me hapa të sigurt. Ne jemi të interesuar që këtë ta bëjmë më hapa profesional dhe jo të ngutemi dhe të kemi pasoja siç kanë pasur shumë vende. Jemi duke konsultuar edhe praktikat e ndryshme që kanë ndodhë në vendet që kanë filluar procesin e Vettingut dhe po besojmë që ky proces do të jetë një ndër më të mëdhatë reformuese që kanë ndodhë në Kosovën e pasluftës dhe do ta bëjë pastrimin e sistemit të drejtësisë”, ka përfunduar ai

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments