Tuesday, June 15, 2021
HomeLajmeKosovaÇështjet e drejtësisë përplasin opozitën me pushtetin

Çështjet e drejtësisë përplasin opozitën me pushtetin

Rishikimi funksional, Gjykata Komerciale e proceset e tjera që udhëhiqen nga Ministria e Drejtësisë, i kanë përplasur me fjalë sot ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun dhe ish-ministrin e Abelard Tahiri.

 

Haxhiu ka thënë se PDK në qeverisje nuk e ka pasur qëllim luftimin e krimit dhe korrupsionit, ndërsa ish-ministri i Drejtësisë nga PDK ka deklaruar se Haxhiu po i shtyn tutje punët e nisura nga PDK sa ishte në qeveri derisa nuk po sjell asgjë të re.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në seancën e sotme të Kuvendit, ku është prezantuar program qeverisës, ka thënë se Qeveria Kurti 2 do të votojë projektligjin për Gjykatën Komerciale.

“Sa i përket Gjykatës Komerciale nuk është korrekte me thënë të pa vërteta në Kuvendin e Kosovës, pse sepse koncept dokumentin për gjykatën Komerciale e ka votuar Qeveria Kurti 1, projektligjin për Gjykatën Komerciale do ta votojë Qeveria Kurti 2, rrjedhimisht nuk e a ka qenë ideja jote gjykata Komerciale a jo si emërtim, unë kam pyetur për këtë dhe me kanë thënë që është Oda Amerikane, sikur më kishin thënë në Ministri të Drejtësisë që Abelard Tahiri besomë që e kisha ndryshuar, ia kisha bë ndoshta Gjykata për Çështje Ekonomike, prandaj nuk është e vërtetë me thënë gjëra të cilat nuk qëndrojnë, unë të ftoj për bashkëpunim”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ish-ministër i Drejtësisë, ka thënë se Gjykata Komerciale ka dalë prej rishikimit funksional dhe punës së mirë që ka bërë PDK me partnerë sa ishte në qeveri. Tahiri ka thënë se emërtimin e saj e ka bërë ai, ndërkohë sipas tij, puna është kryer në bashkëpunim me ndërkombëtarët.

“Ti nuk ke thënë që e amendamentoj ligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, por do ta hartojmë ligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, ekziston more, amandamentimi është tjetër, ndryshimi tjetër, hartimi dhe ndërtimi i një baze të re është tjetër, kanë dallime si nata me ditë, rishikimi funksional, do te thotë është marre prej teje me të pa partnerët tanë që bashkëpunojmë me Ministrinë e Drejtësisë mos me thënë, që nuk është bërë prej meje sepse gjithë ai investim që është bërë, 13 milionë dollarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbi 2 milionë euro nga Zyra e Bashkimit Evropian janë bërë për rishikimin funksional, në kohën time, prandaj nuk po mundem me të kuptuar qysh po mundesh të flasësh të pavërteta në raport me ata që i kemi partnerë”, ka thënë Tahiri.

Sipas Tahirit, Gjykata Komerciale e rishikimi funksional janë procese që janë udhëhequr nga ai sa ishte ministër i Drejtësisë.

Ndërsa Haxhiu ka deklaruar se PDK nuk ka qenë e interesuar të luftojë krimin dhe korrupsionin sa ishte në pushtet.

“Pikërisht nga kjo foltore Tahiri theksonte se sa është e rëndësishme nisma e Ministrisë së Drejtësisë në atë kohë për zgjerimin e kompetencave për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale. A e di, Tahiri sa herë është zbatuar ai ligji yt i famshëm, një herë, a po të duket që është fikas, a je bind që e ka pas gabim, sepse ti dhe qeveria e asaj kohe nuk keni qenë të interesuar të luftoni krimin dhe korrupsionin. Sa i përket rishikimit funksional veç në një pikë ke pas fuqi, që e ke heq byronë e hetimeve për korrupsionin e lartë, vetëm këtu ke ndikuar, pjesa tjetër ka qenë e ekspertëve, Abelard!”, ka thënë Haxhiu.

Lidhur me këtë, pati një reagim ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

“Sa i përket çështjes së Byrosë Kombëtare të hetimit, ky ka qenë projekt pikërisht i Partisë Demokratike dhe të dilet të gënjehet sot se keni tërheq prej rishikimit funksional është një rrenë shumë e madhe, dhe prej një zonje prej një ministre të Drejtësisë nuk pritet të ketë rrena të tilla. Dhe në fund a po e shihni, krejt po sillen rreth agjendës sime, rreth agjendës që e kam lënë, gjithçka është rreth agjendës sime, jo po kjo nuk ka qenë mirë e këtë po e ndryshojmë pak, por mirë po kjo është agjendë e imja, por ti çka po sjell të re përveç agjendës sime rishikimit funksional, Gjykatës Komerciale ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, çka po bien të re, sjell diçka të re është e rëndësishme”, ka thënë ai.

E në krejt këtë diskutim për çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë, shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi foli rreth mënyrës së deklarimit të Haxhiut.

“Sistemi nuk qenka aq i korruptuar, paska zyre që çka do që thonë po u dashka të pranohen ashtu, pa diskutim e pa dyshim, pra paska institucione në Kosovë të besueshme, për të cilat më kujtohet në këtë Kuvend se sa bërtitke e nuk linte gjë pa thënë”, ka thënë Gashi.

E lidhur me këtë ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Kujdes fjalorin sidomos me zonjat se zonja Haxhiu nuk ka bërtitur në këtë Kuvend, por zakonisht ka diskutuar”, ka thënë Konjufca.

Deputeti Gashi ka vazhduar duke thënë se argumenti duhet të jetë më i fortë se toni.

“Nuk e para për gratë në përgjithësi dhe meqenëse zonja Haxhiu tha se ka qenë në opozitë dhe nga pushteti i saj i opozitës iu ka dashur të bëjë ashtu, unë kërkoj falje dhe e tërheq atë fjalë, por nuk po e kuptoj pse sot po e përsërit të njëjtin veprim, të folurit me zë të lartë, pra në këtë rast argumenti duhet të jetë i fortë dhe toni të jetë i butë, toni i butë është avantazhi kryesor i një qeverie e cila ka besim dhe vetëbesim. Andaj unë mendoj që vendi ka nevojë për qetësi e sidomos nga radhët e qeverisë dhe ka nevojë për këto çështje të diskutojmë me seriozitet sepse janë tejet të rëndësishme”, ka thënë Gashi.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur sot për të diskutuar rreth programit qeverisës katërvjeçar të prezantuar nga Qeveria Kurti.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments