Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, është optimist se nën presidencën çeke do të jepet hapi i parë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në një intervistë për KosovaPress, ai thotë se vendi i tij mbështet fuqishëm largimin e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ndërkohë, diplomati italian, përkrah dialogun Kosovë-Serbi, derisa thekson se integrimi evropian është i vështirë për dy shtete që kanë çështje kritike mes veti.

Duke folur për dialogun, ambasadori De Riu, thotë se parimi i palës kosovare për njohje reciproke, nuk ka qenë i përfshirë në fillim të dialogut.

Sipas tij, dy vendet duhet të kenë parasysh se vetëm përmes gjetjes së një zgjidhje do të kenë të ardhme evropiane.

“Para së gjithash e dimë se qëndrimet reciproke të Serbisë dhe Kosovës janë të prekura nga një histori e të së kaluarës, dhe njëkohësisht që të dyja vendet duhet të kenë të qartë se vetëm përmes një dialogu ku mbrapa tij qëndron mbështetja e vendeve të BE-së, do të mund të arrijnë të shkojnë drejt shtegut të integrimit evropian. Në anën tjetër është e vështirë të imagjinojmë integrim evropian mes dy vendeve që vazhdojnë të kenë çështje kritike. Politika është arti i të mundurës, mjafton të ushtrohet ky parim, si nga pala kosovare dhe nga ajo serbe, dhe pastaj mund të arrihet në një përfitim konkret, që është ai i cili sjell drejt integrimit evropian, sepse përfitimi, para së gjithash do të jetë i qytetarëve…Fjala është për një parim (njohja reciproke), i cili është ngritë disa herë nga autoritetet kosovare edhe nëse në fillim nuk ishte i përfshirë kur ka filluar dialogu. Dialogu synon të krijojë, të vendosë tjegullat për të ndërtuar një objekt i cili pastaj duhet pas një kohë detyrimisht duhet të arrijë të normalizojë raportet”, shtoi ai