Monday, June 14, 2021
HomeLajmeKosovaAGK: Prokuroria duhet të tërhiqet nga ftesa për intervistimin e gazetarit Mentor...

AGK: Prokuroria duhet të tërhiqet nga ftesa për intervistimin e gazetarit Mentor Gjergjaj

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, që nga dita e shtunë (15 maj), i ka përcjellë me shqetësim zhvillimet në lidhje me rastin e gazetarit, Mentor Gjergjaj, i cili me urdhër të Prokurorisë Themelore në Gjakovë është ftuar për tu paraqitur këtë të martë, në stacionin e Policisë në Gjakovë për tu intervistuar për një rast që lidhet me një artikull të botuar nga gazetari më 3 maj 2018, në Gazetën Express.

Gjergjaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se është ftuar në cilësinë e të dyshuarit nga një hetues i Policisë së Gjakovës për “inçizim pa autorizim”, ndonëse siç deklaron vetë gazetari audio-inçizimi nuk është publikuar asnjëherë në medie, por është dorëzuar vetëm në prokurori si dëshmi për kanosjen që i është bërë atij atë ditë në Gjakovë, derisa po raportonte nga tereni.

“Nëse është fjala për audio-incizimin, atëherë kemi dyfish problem këtu. Ai incizimin e as pjesë të shkëputura nga aty nuk është bërë publike kurrë, as në Express as askund tjetër. Përveç në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, që unë personalisht ia kam dorëzuar një prokurori si dëshmi, siç parashihet me legjislacionin në fuqi, për kanosjen ndaj meje dhe ekipit të gazetës, atë ditë, nga një shtetas shqiptar. Bashkë me incizimin, kam dorëzuar edhe emrat e dy dëshmitarëve të rastit që sot e kësaj ditë s’janë thirrur kurrë për intervistim.”

Në komunikatën për media nga Prokuroria Themelore e Gjakovës thuhet se kallëzimi penal i ngritur nga G.A, i parashtruar në Prokurorinë Speciale në vitin 2019, ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë së Gjakovës këtë vit.

“Prokuroria e Gjakovës, Ju njofton se kallëzimi penal privat i të dëmtuarit G.A., i parashtruar në Prokurorinë Speciale në vitin 2019, ka kaluar në kompetencë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë në vitin 2020. Prokurori i Shtetit, më 07 maj 2021, ka ndërmarrë veprimet hetimore, për veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, nga neni 205 paragrafi 1 të KPRK-së, ku i njëjti, në rolin e gazetarit ka shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit, dhe e ka incizuar në banimin e tij personal, duke cenuar privatësinë e tij. Lidhur me këtë , Prokurori i rastit, ka kërkuar intervistimin e të dëmtuarit, G.A., dhe në cilësinë e të dyshuarit Mentor Gjergjaj.”

Për AGK-në është tërësisht e papranueshme, shqetësuese dhe skandaloze ftesa për intervistimin e gazetarit Mentor Gjergjaj në cilësinë e të dyshuarit, andaj ftojmë Prokurorinë Themelore të Gjakovës të tërheqë ftesën për intervistim, meqenëse audio-inçizimi nuk është publikuar asnjëherë në medie.

Ftesat si këto, përbëjnë cënim të të drejtave të gazetarëve, lirisë së medies dhe lirisë së shprehjes, si dhe së fundmi janë kthyer në praktikë të ndërhyrjes së institucioneve në punën e gazetarëve.

AGK-ja u bën thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin veprime brenda kompetencave të tyre, si dhe u bën thirrje të gjithë zyrtarëve shtetërorë që të ndalin presionin dhe pengimet ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.

Lidhur me rastin konkret, AGK-ja do të njoftojë të gjitha organizatat ndërkombëtare që avokojnë për të drejtat e gazetarëve.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments